Që nga fillimi i këtij viti në Terminalin e Kontejnerëve në portin e Durrësit është në funksion të plotë Sistemi Operativ online Navis 4.
Ky shërbim siguron një standard të ri pune në sektorin e përpunimit të kontejnerëve, pasi kryen më së miri koordinimin e veprimeve logjistike dhe të kontrollit në proceset e import-eksportit të kontejnerëve apo dhe magazinimit të tyre.
Menaxheri i terminalit të kontejnerëve Gentian Çomo tregon për “DurrësLajm” të gjitha përfitimet që sjell sistemi online Navis 4. Ato veprime dhe komunikime që më parë kryheshin fizikisht, tashmë mjaft vetëm një klikim në kompjuter apo iPad.
“Benefiti kryesor për operatorët privatë është ndjekja e stokut të terminalit të kontejnerëve, ndjekja e të gjithë regjimeve të lëvizjeve të tyre, trafikut të hyrje-daljeve, statusit të kontejnerit plot dhe bosh, ndjekja e përpunimit të anijeve kotejnerike, ngarkimet dhe shkarkimet e tyre.
Sistemi mundëson planifikimin, kontrollin dhe optimizimin e të gjithë operacioneve në terminal”,- bën të ditur Çomo.
Krahas këtyre përfitimeve, sistemi i ri operativ është një garanci e shtuar për sigurinë në portin më të madh në vend. Kontrolli dhe analiza e riskut nga agjencitë ligjzbatuese e bëjnë edhe më të sigurt dhe operacional portin e Durrësit.
Efikasitetin e sistemit Navis 4 e ndjejnë më së miri edhe operatorët ekonomikë në portin e Durrësit. Ermir Maliqati, menaxheri i kompanisë CMA CGM, thotë se sistemi i ri ekonomizon më së miri punën dhe kohën e përpunimit të secilit kontejner që mbërrin në port.
Gjatë vizitës sonë në terminalin e kontejnerëve u takuam dhe me njeriun që qëndron pas mbarëvajtjes së sistemit operativ, drejtorin e IT së kompanisë Mariner, Dmitriy Kiselyev. Në bisedë me të mësojmë se koha e implementimit të sistemit operativ ka qenë shumë më e shkurtër sesa në portet e tjera që menaxhon kjo kompani.
Por Mariner Adriatic nuk ndalet këtu. Projekti i radhës është automatizimi i portës, që pritet të konkretizohet në fund të këtij viti.
I vetmi terminal kontejnerësh në vendin tonë përballon një volum prej rreth 150 mijë njësi kontejnerike (TEU) në vit. Për Ermir Maliqatin, të gjitha investimet dhe shërbimet e reja janë një plus më shumë për mbarëvajtjen e punës në port.
Gjatë vitit që lamë pas, porti më i madh në vend regjistroi një performancë mjaft të mirë ekonomike, pavarësisht pandemisë Covid-19. Referuar të dhënave zyrtare nga APD, gjatë periudhës janar- dhjetor 2021, në port janë përpunuar rreth 4,5 milionë tonë mallra, ose 9% më shumë se në vitin 2019, përpara pandemisë.
M.B.