Mendoj se investimi për Terminalin e ri të Pasagjerëve është një tregues tjetër i ndryshimeve kolosale pozitive të bëra në këtë port. Është një nga terminalët më të mirë në rajon dhe një tregues i zhvillimit të portit dhe qytetit të Durrësit. Vonesat kanë ardhur për shkak se investime të kësaj natyre kërkojnë kohën dhe proçedurat përkatëse.…

Investimi për Terminalin e ri të Pasagjerëve, i  përuruar disa ditë më parë shihet nga deputeti demokrat, Osman Metalla, si një tregues i ndryshimit të imazhit të vendit dhe fuqizimit të portit të Durrësit. Sipas tij investime të kësaj natyre shkojnë në sinkron dhe me investime të tjera që ka bërë në infrastrukturë qeveria shqiptare. Duke u ndalur tek reforma zgjedhore, marrëveshja për të cilën u zvarrit për disa muaj Metalla do të theksonte se arritja e dakortësisë ndërmjet palëve duhet të vijojë dhe me çështjet e tjera të reformës parlamentare, duke i dhënë në këtë mënyrë mundësinë Shqipërisë të marrë statusin e vendit kandidat brenda vjeshtës së këtij viti. Deputeti durrsak shpreson se konsensusi i fundit i arritur për reformën zgjedhore të jetë një reflektim i opozitës për detyrimet ndaj vendit dhe atyre ndërkombëtare.

Si i vlerësoni investimet më të fundit në Portin e Durrësit? Pse kaq vonesa në inagurimin e terminalit të pasagjerëve?

Unë mendoj se investimi për Terminalin e ri të Pasagjerëve është një tregues tjetër i ndryshimeve kolosale pozitive të bëra në këtë port. Është një nga terminalët më të mirë në rajon dhe një tregues i zhvillimit të portit dhe Durrësit.Nga informacioni që kemi ky terminal rezulton i parametrave ndërkombëtarë. Po i referohem fletëpalosjes që kam në dorë ku evidentohet fakti se Terminali i ri i Trageteve në portin e Durrësit është ndërtuar me një investim prej 21.8 milion euro, financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Qeveria shqiptare. Projekti është hartuar nga studio “Royal Haskoning” dhe kap një sipërfaqe rreth 90.000 m2. Godina e terminalit, objekti më i madh në këtë shesh, i ndërtuar me konstruksione metalike dhe xhama, ka një sipërfaqe rreth 5.400 m2, dhe është ngritur  konform normave dhe standarteve europiane.

Në Terminalin e ri të Trageteve mund të përpunohen njëherësh 2.000 udhëtarë. Në sheshet e tij janë instaluar 46 sportele të kontrollit kufitar gjithsej, 10 prej të cilëve u shërbejnë udhëtarëve këmbësorë, 24 të tjerë udhëtarëve me autovetura, ndërsa për kamionët dhe autobuzët funksionojnë 12 sportele kontrolli. Në raste të veçanta janë parashikuar edhe 4 sportele të tjerë. Për lehtësimin dhe komoditetin e mjeteve motorike dhe të këmbësorëve Terminali i ri i Trageteve është i pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme që kërkon përpunimi i tyre: vendet e check-in, skanerat, pikat e kontrollit të policisë kufitare, ato doganore, peshoret e deri tek stolat dhe karrot e bagazheve. Në Terminalin e trageteve ka rreth 65 mijë metra katrorë sheshe për automjetet, ndërsa hapësira e parkimit arrin në 2.100 metra katrorë.

Këtu i gjen të gjitha shërbimet e nevojshme nga bar-kafetë, akses interneti, mjedise pritjeje etj. Përsa i përket vonesave që thoni ju, mund të them se investime të kësaj natyre kërkojnë kohën dhe proçedurat përkatëse.

Le të qëndrojmë në Durrës. Kur do të implementohen ndryshimet ligjore përsa i përket zbutjes së moratoriumit të skafeve?

Natyrisht që kërkohet koha e duhur për implementimin e mundshëm të këtyre ndryshimeve. E rëndësishme është që ka një vullnet për të zbutur moratoriumin, që ashtu si kam theksuar vazhdimisht ka qenë shumë i rëndësishëm për vendin dhe për ndryshimin pozitiv të imazhit të tij. Ky moratorium bllokoi trafiqet dhe ndikoi pozitivisht në imazhin e Shqipërisë.

Le të ndalemi pak te politika. Si e vlerësoni arritjen e kompromisit për reformën zgjedhore?

Mendoj se arritja e dakortësisë ndërmjet palëve përsa i përket reformës zgjedhore duhet të vijojë dhe me çështjet e tjera të reformës parlamentare, duke i dhënë në këtë mënyrë mundësinë vendit të marrë statusin e vendit kandidat për në BE brenda vjeshtës së këtij viti, në prag të celebrimit të madh të 100 vjetorit të shtetit shqiptar.

A mund të konsiderohet ky një hap i rëndësishëm, pas përplasjes për zgjedhjen e Presidentit?

Unë mendoj se pas përmbushjes me sukses të detyrimit kushtetues të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit u plotësua dhe një detyrim tjetër mjaft i  rëndësishëm ai i përmbylljes me sukses i reformës zgjedhore dhe të asaj parlamentare. Ishte nje detyrim si i maxhorancës ashtu dhe i opozitës që për fat të mirë u plotësua dhe u realizua një hap tjetër përpara në rrugën e integrimit. Kemi kaluar fushata zgjedhore të nxehta, kemi kaluar fushata zgjedhore me probleme, kemi kaluar fushata zgjedhore dhe me viktima, çka për mua përbën një absurd. Unë nuk dua të përmend këtu raste të njërës apo tjetrës fushatë, por ajo çka dua të them është se tashmë jemi një vend, i cili ka humbur shumë. Kemi kaluar momente të vështira, qofshin këto zgjedhore apo momente të tjera dhe aktualisht kemi humbur mjaft kohë në rrugëtimin tonë drejt integrimit. Natyrisht që kemi bërë shumë, tashmë jemi një vend ndryshe, si përsa i përket imazhit që kemi, ashtu dhe në drejtim të stabilitetit ekonomik.

Tashmë jemi një vend që gjeneron siguri dhe jo më një vend që gjeneronte probleme, jemi një vend që nuk është më në hartën e tranzitimit të trafiqeve dhe kjo si pasojë e reformave të rëndësishme që janë bërë si dhe të luftës pa kompromis ndaj këtyre trafiqeve. Tashmë jemi një vend që është anëtar i NATO-s, jemi një vend që aspiron për të fituar statusin e vendit kandidat. Në këtë sens them se edhe arritja e dakortësisë ishte një hap përpara integrues, një standart i ri për Shqipërinë. Në referencë të kësaj pyetjeje desha të bëja një retrospektivë të proçeseve zgjedhore që ka kaluar Shqipëria. Nuk dëshiroj të kthehem shumë në kohë, por le të kujtojmë pak çfarë ndodhi në vitin 2007. Për disa muaj me radhë lideri i opozitës mbajti peng reformën zgjedhore. Megjithëse ju la dorë e lirë për të propozuar gjithçka donte dhe reforma u bë krejtësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, përsëri lideri i opozitës u shpreh i pakënaqur me zgjedhjet. Natyrisht sepse i humbi ato.

Çfarë ndodhi në 2009? Ishte përsëri po i njëjti kod zgjedhor i cili ishte miratuar me të gjithë propozimet e opozitës. Për më tej u bë një hap mjaft i madh përpara me regjistrin e zgjedhësve, si dhe me kartat e identitetit. Nuk u la gjë pa bërë e thënë për këto karta, duke thënë se po u vihej taksa e votës shqiptarëve, duke thënë që janë të pasigurta etj. Kur në fakt rezultoi të ishin dokumenta nga më cilësoret dhe më të sigurtat për vetë teknologjine e tyre dhe të dhënat biometrike që ato përmbajnë. Megjithëse nga të gjithë faktorët vendas dhe të huaj këto zgjedhje u vlerësuan, u çertifikuan, dhe u pranuan si zgjedhje me standarte të përmbushura i vetmi që nuk i pranoi ishte humbësi. Për dy vite me radhë mbajti peng Kuvendin e Shqipërisë, mbajti peng reformat integruese, mbajti peng të gjithë shqiptarët. Po të mos ishte se liberalizimi i vizave ishte një proçes thjesht teknik, sot shqiptarët me atë bllokim që i bëri z.Rama Kuvendit dhe reformave natyrisht që do të vazhdonin të ishin të izoluar si në kohën e Enverit. Gjithsesi konsensusi i fundit i arritur për reformën zgjedhore shpresoj që të jetë një reflektim i opozitës për detyrimet ndaj vendit dhe atyre ndërkombëtare.