“Ital–Ferr” dorëzon draftin e studimit të fizibilitetit, për terminalin multimodal të pasagjerëve.
Kompania italiane “Ital – Ferr” i ka dorëzuar Bashkisë së Tiranës draftin e studimit të fizibilitetit dhe termat e referencës, për koncesionin e terminalit të ri të pasagjerëve në Tiranë. Ky draft përfshin studimin dhe analizat ekonomike të zhvillimit të transportit të udhëtarëve, për një afat 15 vjeçar, duke konceptuar dhe propozuar strukturën e terminalit, në një sipërfaqe prej 80.000m², në afërsi të kthesës së Kamzës.

Drafti i studimit jep një planimetri të terminalit dhe parashikon zgjidhje për:

parkimin e autobusëve, mikrobusëve dhe automjeteve të tjetra të transportit të pasagjerëve;
linjën hekurudhore për stacionimin e trenave që vijnë dhe nisen nga Tirana;
linjën për stacionimin e tramvajit, si zgjidhje alternative e transportit të pasagjerëve që do të hyjnë dhe do të dalin nga Tirana;
rrugët e brendshme të qarkullimit të automjeteve, tramit, etj, në territorin e terminalit;
ambientet ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të mjeteve të transportit;
ambientet sociale dhe hoteleri, për akomodimin e udhëtarëve
Organizimi i funksionimit të terminalit përfshin autobusët ndërkombëtarë të kompanive shqiptare dhe të huaja, autobusët ndërqytetëse dhe urbane. Në pjesën lindore të këtij terminali parashikohet parkimi i automjeteve private, me hyrje nga rruga e Stacionit të Trenit, ndërsa në pjesën perëndimore parashikohet parkimi i autobusëve ndërkombëtarë dhe ndërqytetëse si dhe ambiente logjistike.

Vendet e parkimeve të autobusëve, mikrobusëve, taksive dhe automjeteve private, për fazën e parë janë:

autobusë të linjave ndërkombëtare 34
autobusë të linjave ndërqytetës 57
autobusë të linjave urbane 15
mikrobusë 48
parkim autobusësh 26
taksi 20
parkim i automjeteve private 100
Nga ky terminal parashikohet të nisen:
automjete 10 000
mikrobusë 3 700
autobusë 900
autobusë ndërkombëtarë 100
autobusë urbanë 180

Në këtë terminal do të vendoset stacioni i ri i trenit. Zhvendosja e stacionit të trenit i cili pritet të nisë brenda muajit janar i hap rrugë fillimit të ndërtimit të bulevardit të ri, projektuar nga studio arkitekturore britanike “Grimshaw”. Në terminalin multimodal të Tiranës do të jetë stacioni i tramit, shërbim i cili në Tiranë dhe Shqipëri do të ofrohet për herë të parë.
Për studimin e linjave të tramit në qytetin e Tiranës, BE dhe qeveria franceze kanë akorduar një fond prej 1 milionë e 250 mijë euro. Qeveria franceze ka miratuar 500 mijë euro, për studimin e linjave të tramit, nga Kombinati në Kinostudio dhe nga Tirana e Re tek terminali multimodal, nëpërmjet bulevardit, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka miratuar 750 mijë euro studim për linjën e tramit që do të shkojë rreth e qark unazës së qytetit.

Ky terminal parashikohet të ketë një kosto investimi në vlerën 21 milionë euro, e cila planifikohet të financohet nga BERZH, nëpërmjet një kompanie konçensionare e cila do të përzgjidhet sipas procedurave të prokurimit të BERZH-it. Drafti është duke u studiuar me drejtoritë përkatëse në Bashkinë e Tiranës, me qëllim realizimin sa më objektiv dhe eficient të këtij projekti.
Në tetor 2012, me një financim prej 500 mijë eurosh të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkia e Tiranës lidhi kontratën e konsulencës me kompaninë italiane “Ital – Ferr, lider në fushën e studimeve dhe projekteve të transportit në Evropë, për hartimin e studimit të fizibilitetit dhe përpilimin e dokumenteve të tenderit të koncesionit, për terminalin e Tiranës. Kompania “Ital – Ferr” u përzgjodh pas një gare të fortë mes 11 kompanive prestigjioze ndërkombëtare.