Biznesmeni serb Damir Fazlliç pritet të ndërtojë në zonën e Porto Romanos një terminal me një sipërfaqe prej 80 mijë metra katrorë. Lajmi bëhet i ditur nga deputeti Erion Braçe i cili kërkon nga vajza e kryeministrit, Argita Berisha Malltezi të përgjigjet se si Damir Fazlliç e siguroi këtë tokë.

"Ky është projekti i “Crown Aquisitions”, kompanisë së Damir Fazlliç. Quhet “Terminali i nënprodukteve të naftës në Porto Romano”.

Do të shtrihet në 80 mijë metra katror që ju kam treguar dhe do të shërbejë për çdo gjë: naftë, benzinë, gaz, karburant për avionë. E gjithë infrastruktura do jetë në funksion edhe të tij, rrugë, deri linja e re hekurudhore.

Pas këtij fakti të ri bëhet edhe më e mprehtë pyetja për pronësinë mbi 80 mijë metra katrorë tokë që i kam drejtuar zonjës Argita Berisha. Po e përsëris:

Si e siguroi këtë tokë Damir Fazlliç? E bleu? Si e bleu? Ai është shtetas i huaj? Mos vallë e keni blerë ju zonjë e më pas ai nga ju? Por, përsëri, a ka mbështetje ligjore kjo?", shprehet Braçe në Facebook.