12korrik 2015 – Durrësi për nga sipërfaqja e terreneve sportive mbetet ndër qytetet më të privilegjuara në vend. Një hapësirë me rëndësi ndodhet përreth stadiumit “Niko Dovana”, e cila është e mjaftueshme për të krijuar një kompleks sportiv bashkohor që do t’i shërbente të gjithë komunitetit të sportistëve në këtë qytet. Por, sot gjendja e këtyre terreneve është në degradim e sipër dhe askush nga strukturat shtetërore nuk ka bërë asgjë që ky realitet të ndryshojë në të mirë të sportit. Tanimë pjesa me e madhe e gjithe kesaj sipërfaqeje është kthyer në vend grumbullimi inertesh dhe mbeturinash ku bimësia e egër në këtë stinë ka mbuluar gjithçka.
Ende situata mbetet e paqartë, mungojnë projektet apo fondet e duhura? Por cilado qoftë arsyeja e vërtetë në këtë rast ajo që bie në sy është mungesa e vullnetit dhe e një vizioni të vërtetë zhvillimi të zonës. Me perjashtim të aneksit qendror të stadiumit, i ndërtuar me parametra të standarteve europiane si dhe dy minifushave përballë tribunës qendrore të “Niko Dovanës”, pjesa tjetër e terreneve sportive është jashtë çdo standarti të kërkuar, ku mbizotëron pluhuri në verë dhe balta në dimër. Dhe nuk janë të paktë ata që stërviten në këto terrene, madje dhe ekipet e futbollit të shkollës së mjeshtërisë sportive sterviten në nje terren te tille jashte cdo standarti.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/