Rreth 180 njerëz u vranë gjatë fundjavës në kryeqytetin e Haitit. Siç raportohet vrasjet u mbikëqyrën nga një “udhëheqës i fuqishëm bande” i bindur se sëmundja e djalit të tij ishte shkaktuar nga ndjekësit e fesë, sipas organizatës civile Komiteti për Paqe dhe Zhvillim (CPD).
“Ai vendosi të ndëshkojë mizorisht të gjithë të moshuarit dhe praktikuesit e vudu-së, të cilët, sipas imagjinatës së tij, do të ishin në gjendje t’i dërgonin një magji të keqe djalit të tij. Ushtarët e bandës ishin përgjegjës për identifikimin e viktimave në shtëpitë e tyre për t’i çuar në fortesën e shefit për t’u ekzekutuar,” thuhet në një deklaratë nga grupi me bazë në Haiti.
Ndërsa komisioneri i OKB-së për të drejtat Volker Turk tha gjatë fundjavës se të paktën 184 njerëz u vranë në dhunën e orkestruar nga lideri i një bande të fuqishme në kryeqytetin haitian. Më tej ai tha se këto vrasje të fundit e çojnë numrin e të vdekurve vetëm këtë vit në Haiti në 5,000 njerëz. Si CPD ashtu edhe OKB thanë se masakra ndodhi në lagjen bregdetare perëndimore të kryeqytetit, Cite Soleil.
Haiti ka vuajtur nga dekada paqëndrueshmërie, por situata u përshkallëzua në shkurt kur grupet e armatosura filluan sulme të koordinuara në kryeqytetin Port-au-Prince për të rrëzuar kryeministrin e atëhershëm Ariel Henry. Bandat tani kontrollojnë 80% të qytetit dhe pavarësisht nga një mision mbështetës i policisë së drejtuar nga Kenia, i mbështetur nga SHBA dhe OKB, dhuna ka vazhduar të rritet.