SHBA, 9 prill 2014 – Të paktën 20 nxënës janë plagosur gjatë mëngjesit të së mërkurës, gjatë një incidenti të rëndë në liceun Murrysvilee, 18 km larg Pittsburgh, në Pensilvani. Lajmi është konfirmuar nga Dan Stevens, një zëdhënës i agjencisë së menaxhimit të emergjencave. 

“4 prej të plagosurve nga sulmet me thikë janë dërguar në spital me helikopter”,- tha ai, duke lënë të kuptohet që gjendja e tyre është më e rëndë. Ndërkohë mësohet se 20 studentë janë dërguar në spitalin Forbes për të marrë ndihmën e parë nga sulmet me thikë.   

Një i dyshuar është arrestuar dhe po merret në pyetje nga policia, pasi 20 studentë u plagosën. Autoritetet nuk bëjnë të ditur emrin dhe moshën e tij, megjithëse konfirmojnë se ai ishte nxënës i po kësaj shkolle dhe studionte në vitin e tretë.

Sulmi me thikë u regjistrua në orën 7.13 të mëngjesit me orën lokale (14.13 me orën tonë). Për momentin shkolla është e rrethuar nga forca të shumta policie. Shumë ambulanca dhe helikopterë mbërritën aty në momentet e para pas sulmit.

Sipas njërës prej nënave të nxënësve të kësaj shkolle, së cilës i referohet Daily News, njëri nga nxënësit ka aktivizuar sinjalin e alarmit gjatë sulmit. Sipas saj nxënësi që sulmoi shokët e tij është rreth 15-16 vjeç.

Në website e shkollës është shfaqur një njoftim: “Në lice u regjistrua një incident i rëndë. Të gjitha klasat fillore kanë ndërprerë mësimin. Nxënësit e ciklit të mesëm dhe të lartë janë të sigurt. Njoftime të tjera do të jepen më vonë, sapo të jetë e mundur”.

Shkolla është në Murrysville, rreth 15 milje në periferinë lindore të Pittsburgh. CNN mësoi fillimisht për incidentin nëpërmjet Twitter-it. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/