14 janar 2015 – Gazetarë investigativë italianë me kontakte të ngushta me shërbimin sekret italian dhe ROS-in e karabinierisë pohojnë se një celulë islamike shqiptare (shqiptaro-kosovare) afër kufirit italo-francez mund të jetë duke bashkëpunuar me terroristët islamikë francezë. Grupi i shqiptarëve islamikë të radikalizuar ka së paku 10 anëtarë. Ata janë radikalizuar nga imamë ekstremistë, që predikojnë në zonat përreth.
Grupi është i vendosur në zonën perëndimore të Rivierës së Ligurisë afër qytetit të San Remos. Vendbanimi i tyre është në zonën ndërmjet La Spezia-s dhe qytetit kufitar të Ventimiljas (Ventimiglia). Tri figurat kyç të grupit janë të bazuar në Provincën e Imperias, por herë pas here spostohen edhe jashtë zonës së tyre të veprimit. Anëtarët e grupit përdorin pseudonime për të komunikuar me njëri-tjetrin, gjë që tregon shkallën e lartë të sofistikimit të organizimit të grupit.
Shërbimet italiane, ende besojnë se grupi momentalisht nuk ka kapacitete për akte terrori spektakolare si sivëllezërit e tyre islamikë francezë. Shërbimi sekret italian për të mbajtur nën mbikqyrje të tillë ekstremistë po bashkëpunon me partnerët e vet rumunë, hungarezë dhe grekë.
Çuditërisht nuk ka asnjë bashkëpunim me aleatët shqiptarë, qoftë Shikas, qoftë vartës të Tahirit. Rëndues është fakti, që disa nga anëtarët e këtij grupi janë veteran të luftës në Siri dhe Irak dhe në vend të kthehen në Atdhe në Ballkan kanë udhëtuar drejt Italisë, duke u vendosur në bregdetin Ligur. Përvoja e tyre në fushë betejat e Lindjes së Mesme shton rrezikshmërinë e këtyre individëve islamikë të radikalizuar.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





