Gjykata e Durrësit ka shtyrë shqyrtimin e kërkesës për ekstradim për shtetasin rus Rasul Mislaev, i cili u arrestua pak kohë më parë në Tiranë, i cili akuzohet për pjesëmarrje si luftëtar në grupet militante të Shtetit Islamik kundër Forcave Qeveritare Siriane.
Seanca gjyqësore ndaj 34-vjeçarit me banim në Çeçeni u shty pasi mungonte pa ndonjë shkak të arsyeshëm përfaqësuesi i prokurorisë, që ka kërkuar shqyrtimin e ekstradimit të tij në Rusi ku akuzohet për vepër penale që ka lidhje me terrorizmin.
Seanca e rradhës u shty për në datën 10 shtator. Ndërkohë iu caktua avokat kryesisht nga gjykata, pasi i pandehuri deklaroi se nuk mund të paguajë për mbrojtjen e tij.
Rusia ka kërkuar ekstradimin e Rasul Mislaev, ndërsa vetë ai i ka kërkuar gjykatës që të mos e deportojnë për shkak se i rrezikohet jeta.
“Ju lutem mos më depërtoni në Rusi, se atje do të më vrasin”, është shprehur ai para trupës gjykuese këtë të enjte.
Ai u shfaq dyshues edhe për avokatin e caktuar kryesisht nga gjykata.
“Nuk kam para për avokat, po a do të më mbrojë mirë ky avokat që do të më caktojë shteti shqiptar?”, tha ai.
Gjyqtari Paulin Cera, e siguroi në profesionalizmin e avokatit të caktuar për mbrojtjen e tij, të cilit i dha edhe kohë për t’u njohur me çështjen dhe realizuar mbrojtjen e klientit.
Ai u drejtua edhe nga kamerat që ndodheshin në sallë, e duke ngritur lart gishtin tregues, tha: “Allahu Ekber”!
Arrestimi më 12 korrik
Sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, shtetasi rus Rasul Mislaev, i lindur dhe rezident në qytetin industrial Norilsk në Rusi – qyteti në botë më pranë Rrethit Polar të Artikut – kishte hyrë në Shqipëri në tetor 2018 pa asnjë dokument identifikimi, nga pika kufitare e Kakavijës, në Gjirokastër, me një grup azil-kërkuesish që vinte nga Greqia.
Ai refuzoi të komunikonte me autoritetet e policisë kufitare dhe të intervistohej prej tyre. Shenjat e shumta të plagëve, të shkaktuara nga armë zjarri që u kontatuan në trupin e tij gjatë kontrollit mjekësor rutinë të autoriteteve shqiptare bashkë me heshtjen e tij bënë të lindnin dyshime, se personi i ardhur nga Greqia, me grupin e azil-kërkuesve mund të ishte një person i rrezikshëm.
Për rreth 10 muaj, Drejtoria e AntiTerrorit komunikoi me EUROPOL-in derisa shtetasi rus me inicialet R.M. u identifikua si i kërkuar nga INTERPOLI në Moskë si luftëtar aktiv me grupin e paligjshëm, të armatosur të Shtetit Islamik.





