Pamjet e videos së mëposhtme kanë fiksuar momentin kur një polic, I veshur civil, qëllohet nga një nga terroristët që morën pjesë në atentatin në aeroportin e Stambollit.

Në pamje duket që polici i afrohet terroristit, pasi ka dyshuar tek ai, për shkak se ishte i veshur me rroba dimri në mes të verës.

Ata kanë shkëmbyer veç disa fjalë para se terroristi të qëllonte mbi policin. Ai nuk ka nguruar ta qëllonte edhe pasi i plagosuri ndodhej i shtrirë përtokë.

Sipas medies britanike Mirror, ende nuk dihet gjë për fatin e policit të qëlluar.

Ndërkohë tre autorët e sulmeve që i morën jetën 42 personave në aeroportin e Stambollit këtë javë ishin nga Rusia, Uzbekistani dhe Kirgistani, bëri të ditur një zyrtar turk.

Përveç kombësisë, nuk janë dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me 3 kamikazët pasi hetimet janë ende në proces. Mediat shkruajnë se kamikazi rus ishte nga Dagestani, zonë e cila kufizohet me Çeçeni, ku Moska ka udhëhequr dy luftëra kundër separatistëve.