3 dhjetor 2015 – Kryeministri Edi Rama me ftesë të homologut francez Manuel Valls, zhvilloi sot vizitën e tij zyrtare në Paris, ku u prit në selinë e qeverisë franceze nga kryeministri Valls.

Të dy kryeministrat, në takimin dypalësh që zgjati mbi një orë, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve dhe shprehën vullnetin dhe angazhimin e përbashkët të dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit të në ardhmen, me fokus në fushën e shërbimeve inteligjente, drejtësisë dhe policisë.

Rama i shprehu kryeministrit francez solidaritetin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare në luftën e përbashkët të vendeve kundër terrorizmit, kërcënimit më serioz të vlerave njerëzore në mbarë botën.

Nga ana e tij, Valls vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si një qasje shumë pozitive për hapjen e negociatave, dhe insistoi për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Bashkëpunimi në fushën e kulturës ishte një prej temave të diskutimit, ku një interes të veçantë për palën mikpritëse paraqitën nismat shqiptare në fushën e shkëmbimeve rinore, ku Shqipëria me traditën e saj të bashkëjetesës në paqe mes besimeve fetare, është një shembull frymëzues për një rini pa komplekse ndaj kulturave fetare dhe respekt ndaj besimeve të tjera.

Ndërkohë Franca mirëpret Konferencën e Parisit 2016, ku kërkon që Shqipëria të luajë një rol kyç.

Më pas, Rama dhe Valls zhvilluan një takim kokë më kokë, në kopshtet e Matinjon.

/portali DurresLajm/