Terrorizmi godet sërish. Gjashtë persona mbetën të vrarë në një sulm terrorist në qendër të Londrës mbrëmjen e së shtunës, tre prej të cilëve janë autorët që u vranë nga policia.

Dëshmitarët përshkruajnë një skenë të rëndë në Urën e Londrës, ku një furgon duke ecur me shpejtësi godet këmbësorët dhe më pas personat që gjendeshin në makinë, kryejnë sulme me thika në lokalet aty pranë, në lagjen “Borough Market”.

Sipas autoriteteve, 6 vetë humbën jetën dhe rreth 48 të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe po marrin mjekim në pesë spitale.

Policia njofton se ka vrarë tre të dyshuarit për sulmet. Në lokalet në lagjen “Borough Market”, dëshmitarët tregojnë se klientët i qëlluan me karrige dhe shishe personat që hynë brenda duke tundur thika gjuetie 25 cm të gjata.

Policia njoftoi se autorët e sulmit mbanin të veshur jelekë-bombë, por që rezultuan të ishin false.

Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët thanë se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet britanike për ndjekjen e situatës. “Çfarëdo që Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë për të ndihmuar në Londër dhe Mbretërinë e Bashkuara, do të jemi aty. Ne jemi me ju. Zoti ju bekoftë”, shkroi presidenti Donald Trump në Twitter.

Incidenti i të shtunës ndodh në më pak se një javë pas sulmit vetëvrasës terrorist në Mançester, ku humbën 23 persona gjatë një koncerti të këngëtares amerikane Ariana Grande.