Nga Arben Rrozhani
Ndoshta ia vlen të përsëritet një fjali pendese e thënë nga ish-drejtori im, Ylli Rakipi, për gazetën e tij “Albania” të hapur në vitin 1995 dhe të mbyllur pak vite më parë. “Bo, bo, sa njerëz kemi vrarë!”-thoshte ai me miqtë, kur kthehej pas në kohë për të treguar bëmat e drejtimit të gazetës që lulëzoi sa ishte afër pushtetit, ose më saktë gazeta e pushtetit. Ndjesa e Rakipit është me vlerë të përsëritet, sidomos sot, edhe pse si gazeta e tij, ishin gati shumica e gazetave të tjera, që shpërndanin lajme “pa doganë”. Por ajo në krye, sepse aty u bënë shkrimet që donte presidenti i atëhershëm Sali Berisha, aty vritej kush donte ai, bëhej vrasës kush urdhëronte ai, montoheshin akuza siç i mendonte ai, sajoheshin edhe dëshmitarë, siç i pëlqente atij. Kush nuk u “vra” aty! Aty iu bënë 25 pyetjet e famshme Azem Hajdarit, në vitin 1996, kur Berisha e mendonte si armikun numër një të PD-së së plotfuqishme. Aty u reklamua ideja e qeverisjes që kontrollohej direkt nga presidenti, se paratë e shqiptarëve të futura në piramida ishin më të pastrat në botë dhe ato duhej të shtonin sportelet dhe të rrisnin përqindjet, duke marrë në qafë mijëra shqiptarë që shitën shtëpi e katandi për të çuar paratë te Sudja, Vehbiu, apo Rrapushi. Aty i krijuan banda dhe sajuan banditë që kërkonin të rrëzonin pushtetin e PD-së. Aty edhe vëzhguesit e huaj që denonconin vjedhjen skandaloze të votave si më 26 maj 1996, bëheshin marksistë-leninistë që kishin ardhur në Shqipëri që të rikthenin kohën e komunizmit.
Prej asaj kohe kanë kaluar gati dy dekada. Shtypi i shkruar serioz, është bërë shumë i matur, ka përqafuar standardet e shtypit të kohës, ca nga frika e padive gjyqësore, ca nga frika se “dy duar për një kokë janë” për të mos “vrarë” njerëz të pafajshëm me lajme të sajuara dhe shpifje të ulëta. Përjashtim bëjnë gazetat që kontrollon Sali Berisha, të cilat vijojnë që të vrasin më keq se çfarë thoshte ish-drejtori Rakipi për vitet ’90.
Ndërsa përjashtimi i madh, që po kthehet në terrorizëm mediatik, janë portalet online, që, sidomos prej vitit të shkuar, kanë mbirë si kërpudhat pas shiut. Jo vetëm helmuese, por edhe një rrezik për të kontaminuar edhe atë pjesë të painfektuar të medias, asaj në print, që mezi po mbijeton, mes kostove në rritje dhe të ardhurave në ulje, prej rënies së shitjeve, reklamave në tkurrje dhe orientimit të lexuesve te faqet online.
“Lajmet” si viruse
Po e ilustroj me përvojën e përditshme se çfarë çudish ndesh në botën e portaleve online, edhe kur je në botën e medias. Me shembullin më të fundit. Dy javë më parë një “investigim” u shpërnda si virus në portalet online. Ishte servirur si superlajm: një i ashtuquajtur senator amerikan, që FBI e hetonte për mashtrim, kishte probleme me drejtësinë amerikane. Verën e kaluar, ky person, me ndërmjetësinë e një OJF-je dhe me shumë lutje, kërkoi takim me deputetin e PS-së, Koço Kokëdhima. Ky i fundit e priti, bëri edhe foto me të, ndërsa personi në fjalë bëri edhe takime me zyrtarë vendorë në disa bashki të vendit. Lajmi i servirur ishte se deputeti i PS-së, paskësh bërë plane biznesi me këtë person të prezantuar si senator, për t’i hapur rrugë eksportimit të kanabisit shqiptar në klinikat amerikane, ku trajtohen veteranët e luftës dhe pacientë të tjerë që kanë nevojë urgjente për kanabisin mjekësor. Në fakt është një pjesë e idesë që deputeti Kokëdhima ka për industrinë e kanabisit në Shqipëri, nën kontrollin e plotë shtetëror, por që ka mbetur thjesht ide, falë dritëshkurtësisë së vendimmarrësve shqiptarë, që e duan këtë ekonomi vetëm në duart e trafikantëve dhe ilegale, se sa të ligjshme dhe fitimprurëse për ekonominë vendase dhe financat e shtetit.
Lajmi në fjalë, i hedhur në një portal të ri, u shpërnda në të gjitha portalet online, që u mjaftuan vetëm duke cituar burimin, por pa marrë mundimin që të gjejnë se çfarë lidhjeje kishte deputeti, nëse kishte ndonjë lidhje, a mund të inkriminohet tjetri nëse takon dikë që i ka kërkuar takim etj. etj. Faqja-mëmë nuk pranoi ta heqë lajmin, as të vendosë lidhur me të reagimin e deputetit Kokëdhima dhënë për një faqe online. Nuk e hoqi askush dhe besoj aty është, në botën e lajmeve të sajuara për të bërë shërbimin politik nga urdhëruesi.
Shumica e drejtuesve të portaleve online janë kolegë me të cilët na bashkojnë mbi dy dekada histori mediatike. Janë profesionistë në punën e tyre dhe gjithkush u heq kapelën aty ku janë, në mediat me emër, me pronarë, me numër NIPT-i dhe llogari bankare. Në portalet online, që i drejtojnë “pas pune” shndërrohen në terroristë profesionistë, që vrasin dhe presin, përdorin vetëm një burim, mundësisht “qytetarin dixhital”, d.m.th, atë irealin që e ka degjeneruar pa kthim Sali Berisha dhe nuk pranojnë as burimin e dytë kur u afrohet dhe as që bëhet fjalë që të pranojnë ta heqin shpifjen e ulët që kanë bërë enkas për të “vrarë’ dikë mediatikisht.
Njëri prej tyre, dy muaj më parë, kishte marrë “qytetarin dixhital” të Berishës dhe kishte vënë foto dhe shkrim se si deputeti Kokëdhima po hidhte beton në bregdetin e Qeparoit. Iu tha se ai skrep që po gërmonte në bregdetin jonian, punonte për llogari të lotit të dytë të shëtitores dhe ishte investim shtetëror, një punë publike dhe pa lidhje me deputetin që është edhe bir i atij fshati bregdetar.
Pas shumë këmbënguljesh portali online, e hodhi një rresht sqarim, në një orë të vonë të natës, atëherë kur nuk ka vizitorë zgjuar, që ishin nginjur dhe po flinin me lajmin se Kokëdhima po hidhte beton në bregdet.
Përgjegjës pa përgjegjësi
Media print prej vitesh ka pasur probleme me padi gjyqësore, për lajmet e pavërteta, shpifjet dhe qindra raste janë referuar në gjykata, ku gjyqet ende vijojnë me penalitete të rënda materiale. Sepse shpifja dënohet. Gazeta “Shekulli” dhe gazeta të tjera të rëndësishme në vend e kanë pranuar pjesën e tyre të fajit dhe janë të detyruara që të përgjigjen. Por kjo nuk ndodh me portalet online. Sepse ato nuk duhet se kujt i përkasin, de jure. Duke iu rikthyer “lajmit” për lidhjen e deputetit Kokëdhima me të ashtuquajturin senator amerikan, del në dritë problemi që has sot një i sulmuar në portalet online dhe kush duhet të përgjigjet ligjërisht, sepse moralisht as nuk flitet.
Portali-mëmë që botoi fillimisht të ashtuquajturin investigim, i përket njërës prej deputeteve llafologe në anën e majtë të Kuvendit të Shqipërisë, që e kemi parë shpeshherë të turfullojë nga foltorja e Kuvendit për dhujnën ndaj grave, për cenimin e jetës private, për sulmet personale që i bëhen nga mediat e dirigjuara nga qeveria e majtë etj. Në një bisedë telefonike, të tensionuar, zonja në fjalë nuk pranoi se portali ishte i financuar dhe i administruar prej saj. Hë, ma provon dot që e kam unë?
Në fakt nuk e provon dot. Është online, është anonim, është asgjë, është një terrorist i mbuluar që vret e pret në të majtë dhe në të djathtë, pa iu dridhur qerpiku, i pacipë, dhe pa asnjë kod etik të medias, kod sjelljeje, kod njerzillëku dhe çfarëdo kodesh dhe zakonesh që kanë qenë të ruajtura prej shqiptarëve. Sepse është portal online. Gjithkush mund ta ketë një të tillë, ta financojë, ta mirëmbajë dhe të qëllojë me top nga kjo frëngji dhe të mos mbajë asnjë përgjegjësi.
Po çfarë ndodh në një vend tjetër, në BE, p.sh. Po marr rastin e Francës. Portalet online i nënshtrohen të njëjtit ligj që rregullon pushtetin mediatik. Për çdo botim me karakter ofendues, përgjegjësia është sipas parimit kaskadë: përgjegjësia nis nga autori i shkrimit, drejtori i faqes ku është botuar deri te operatori që i jep mundësi që të shfaqet në internet. Por për këtë duhet të ketë më parë ankesë. Kjo nuk është e vështirë të arrihet, sepse ligji francez detyron çdo faqe online që të japë emrin e pronarit dhe të administratorit. Kur pyeta poshtë e lart nëpër kolegë se kush e kishte portalin online që të bëja një ankesë publike për lajmin e pavërtetë dhe dashakeqës për deputetin Kokëdhima, të gjitha gjurmët më çuan te deputetja e PD-së. Ajo nuk e pranoi, por prej asaj dite faqja që thuhet se paguhet prej saj ka “harruar” që të sajojë “investigime” për deputetin. Dhe nëse pyet për të tjerat, që janë shtuar si kërpudhat helmuese, pronari i përbashkët del ose Sali Berisha, ose djali i tij dhe deputetët e tij, që s’kanë se ku të çojnë paratë që kanë vjedhur gjatë viteve të gjata të abuzimit me pushtetin politik dhe ekonomik të Shqipërisë.
Dhe është më tej edhe ana sarkastike e “lajmeve” që prodhojnë portalet online. Është vetë Sali Berisha që i furnizon me shpifje të tilla të ulëta dhe po ai Berishë del të nesërmen në konferencë me gazetarët, në foltoren e Kuvendit, apo përpara selisë së tij që shet sajimet e veta si “lajme të medies”. Njëlloj siç bënte dy dekada më parë në gazetën e Rakipit për të vrarë kundërshtarët politikë.
Zgjidhje pa zgjidhje
Përballë kësaj lukunie terroristësh mediatikë, të përdorur për qëllime të ulëta politike, qeveria “Rama” po bën sikur do të rivendosë ligjin. Ministria e Inovacionit ka propozuar disa ndryshime në një ligj të kohës së Sali Berishës të vitit 2009, me të cilin synon të legalizojë tregun e portaleve të informacionit online, duke i detyruar të regjistrohen dhe të marrin përgjegjësi për përmbajtjen. Zyrtarisht kërkohet përafrim i legjislacionit me BE-në, por realisht dhe urgjentisht duhet “tolerancë zero” ndaj paligjshmërisë së shumë faqeve online, duke i detyruar ato që të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjet antiligjore, komentet denigruese apo raciste, duke i bërë ato të përgjegjshme si edhe media tradicionale, e cila përgjigjet një më një dhe paguan për gjithçka për të qenë media e ligjshme.
Një portal online do të shihet si një biznes online, për të cilin masat e sigurisë do të jenë të larta, sidomos sa i përket ruajtjes së informacionit të personave që e përdorin faqen apo edhe më shumë mbrojtje prej përmbajtjes joligjore të tyre. Ndryshimet ligjore do ta bëjnë edhe më të vështirë dhe shumë të ndëshkueshme një fyerje apo koment online. Ligji i detyron portalet që të krijojnë një sektor të posaçëm në faqet e tyre, ku qytetarët të raportojnë ankesat personale për fyerje ndaj tyre. Portalet më pas do të jenë të detyruara t’i raportojnë këto në organet e posaçme ligjzbatuese dhe brenda 48 orësh duhet të çaktivizojë përmbajtjen e deklaruar të tillë, pasi verifikon elementet që përcaktohen në ligj, deri sa autoriteti përkatës të shprehet. Ashtu si çdo biznes që ka adresën e tij, edhe portalet do të detyrohen ta kenë një të tillë. Në të kundërt parashikohen gjoba të rënda për portalet online, deri në 200 mijë lekë, por edhe masa administrative.
Ministria përgjegjëse e ka marrë me nge këtë procedurë urgjente, e frikësuar nga sulmet e portaleve online se kështu qeveria do të ketë nën kontroll median e lirë dhe të pavarur për të shuar zërat kundër. Një zvarritje që do të pasohet me viktima të tjera, të vrarë të tjerë, mediatikisht. Dhe që udhëhiqen nga një njeri që nuk ka shfaqur pendesë edhe kur ka vrarë realisht dhe me plumba të vërtetë luftarakë dhe prej të cilit as nuk pritet ndonjë pendesë e tipit: “Bo, bo, sa njerëz kemi vrarë!”.
Autori, kryeredaktor i gazetës "Shekulli"





