Nipi i deputetit të PS, Rrahman Rraja, Ramazan Rraja është një prej të armatosur dhe të maskuar që hynë në një lokal rreth tre javë më parë në fshatin Zejnep të Lezhës.

Sipas Abc news, Rraja bashkë me dy persona të tjerë të shpallur në kërkim kanë kontrolluar të gjithë klientët, pasi kishin shkuar për të kërkuar kushëririn e pronarit të lokalit, i cili kishte pasur një konflikt me mikun e tre të armatosurve.

Videoja u postua në rrjetet sociale dhe u bë virale duke tronditur opinion publik, ndërkohë që ditën e sotme Policia e Shtetit zbardhin ngjarjen.

Përveç Ramazan Rrajës, të arrestuarit e tjerë janë A. D., 31 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe R. B., 29 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.

Të tre të rinjtë rezultojnë emra të njohur për policinë  me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve. Ata janë larguar menjëherë pas ngjarjes jashtë vendit, ndërsa autoritetet shqiptare i kanë shpallur në kërkim.

Por kush është Ramazan Rraja?

Ramazan Rraja dhe Fioralb Rraja, kushëri, të dy banues në Nikël të Fushë Krujës ishin mes 6 shqiptarëve të arrestuar në Belgjikë  për trafik kokaine në dhjetor të vitit 2020. Operacioni që çoi në pranga 6 shqiptarët  u zhvillua prej datës 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor, në Shqipëri dhe Belgjikë. Por ai u lirua nga qelia me vendim të gjykatës belge për mungesë provash. Gjykata e Brukselit ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij nga “arrest me burg” në detyrim paraqitje.

Ndërkohë dy vite më parë, Rraja u filmua në ambientet e QSUT-së duke dhunuar një grua. Pamjet që rrodhën në media ishin vërtetë të rënda, pasi 27-vjeçari shfaqej disa herë duke e goditur në kokë dhe trup me grushte të renë.