Tesla ka njoftuar të mërkurën se do të tërheqë mbi dy milionë vetura nga qarkullimi në Shtetet e Bashkuara, pasi një rregullator i sigurisë ngriti shqetësime për sigurinë e sistemit të avancuar ndihmës-shofer, apo autopilot.

Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut (AKST) tha se ka dy vjet që është duke e hetuar kompaninë, për të parë nëse veturat Tesla garantojnë se shoferët janë të vëmendshëm kur e përdorin autopilotin.

Tesla tha se kontrollet softuerike të sistemit autopilot “mund të mos mjaftojnë për t’i parandaluar shoferët nga keqpërdorimi i autopilotit” dhe mund të rrisë rrezikun për përplasje.

“Është shumë e rëndësishme që sistemet për vëzhgimin e shoferëve të kenë parasysh se njerëzit i besojnë
teknologjisë më shumë seç duhet”, tha Ann Carlson nga AKST për Reuters.

Autopiloti i Teslës ka për qëllim t’ua mundësojë veturave drejtimin e timonit, gazin dhe frenimin në mënyrë automatike vetëm brenda korsisë së tyre, ndërsa autopiloti i avancuar mund të ndihmojë edhe në ndërrimin e korsisë në autostrada, por nuk i bën veturat plotësisht të pavarura në drejtim.

Tesla nuk ka treguar nëse do t’i tërheqë veturat edhe nga shtete të tjera, përveç SHBA-së.