Tek disa njerëz testet e virusit Corona tregojnë rezultat pozitiv, megjithëse infektimi ka muaj që ka kaluar. Studiuesit besojnë se kanë gjetur një përgjigje për këtë.

Një shpjegim i mundur për shfaqjen e virusit në testet PCR edhe pasi infektimi me Corona ka kohë që ka kaluar vjen nga studiuesit amerikanë. Sipas agjencisë së lajmeve, dpa, në një studim të fundit grimca të imta të ADN-së së virusit në raste mjaft të rralla mund të zënë vend në ADN-në e njeriut. Si rezultat testi vazhdon të tregojë infektim, megjithëse viruset prej kohësh janë larguar nga trupi, raportojnë studiuesit. Rezultatet e studimit të publikuar paraprakisht ende presin vlerësimin e pavarur të studiuesve të tjerë. Viruse të plotë, që mund të shkaktojnë një sëmundje të re apo që mund të infektojnë njerëz të tjerë, nuk mund të krijohen më si pasojë e kalimit në ADN, shkruajnë studiuesit.

Studiuesit që nuk shohin kalim të ARN-së në ADN

Për mjaft shkencëtarë studimi paraqet shumë interes nga ana shkencore, ata i vlerësojnë proceset e paraqitura si të besueshme, por nuk shohin ndonjë rëndësi të veçantë biologjike të proceseve të paraqitura. Joachim Denner, një studiues në Institutin Robert Koch në Berlin shprehet se „do të jetë megjithatë tërësisht e përjashtuar, që vaksina e ARN-së të transformohet e integrohet në ADN.”

Në kuadër të vaksinimit të pritshëm kundër Coronës është shprehur herë pas here një shqetësim i tillë. Studiuesit thonë, shkruan dpa, se integrimi i ADN-së së virusit në ADN-në njerëzore për shkaqe biologjike është i pamundur, sepse informacionet gjenetike janë të formave të ndryshme: tek virusi ato kanë formën e ARN-së, tek njeriu të ADN-së. Për shkak se molekulat kanë përbërje kimike të ndryshme, ato nuk mund të shkrihen me njëra-tjetrën. “Integrimi i ARN-së në ADN nuk është i mundur për shkak të strukturës kimike” ka shkruar edhe Instituti Paul-Ehrlich.

Paska shndërrim të ARN-së në ADN?

Por puna e studiuesve rreth Rudolf Jaenisch nga Instituti i Teknologjisë së Masaçusetsit në Cambridge tregon se me gjasë, në kushte mjaft ekstreme kjo është e mundur, dhe në raste shumë të veçanta ndodh edhe pas një infektimi të natyrshëm. Nga njëra anë, studiuesit gjetën në të dhënat e ADN-së të qelizave të njerëzve të infektuar, grimca të substancës gjenetike të virusit në ADN-në e njeriut. Nga ana tjetër ata provuan në eksperimente të kultivimit të qelizave, se qelizat në raste të rralla mund ta marrin ADN-në e virusit, nëse aktivizohen pjesëza të caktuara të ADN-së njerëzore. Kjo mund të ndodhë pas një infektimi për shembull. Përmes këtij aktivizimi ARN-ja e virusit shndërrohet në ADN dhe mund të ndërfutet në substancën gjenetike të njeriut.

“Nëse në diskutimin publik aktual do të vazhdojë të thuhet, se ARN-ja virale si ajo e virusit Sars-CoV-2 parimisht nuk kalon në genomin e ADN-së njerëzore, atëherë është vërtet e gabuar. Këtë e tregon studimi aktual”, tha Oliver Weichenrieder nga Instituti Max-Planck për Biologjinë e Zhvillimit në Tübingen.

Shndërrimi shenjë e mekanizmit mbrojtës të trupit

ARN-ja e transformuar dhe e futur në ADN mundet që më vonë të rikthehet sërish në ARN. Por “një ARN e tillë nuk është më infektuese dhe nuk mund të prodhojë më viruse.” Virologu David Baltomore nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni është shprehur, se për shkak se nuk krijohen më viruse të reja me gjasë “instalimi” i ADN-së së virusit biologjikisht është një udhë njëkalimshe.

Nuk dihet, nëse tek njeriu qelizat që e kanë marrë virusin qëndrojnë gjatë apo vdesin. “Ky punim le një sërë pyetjesh të hapura.” Nga pikëpamje evolucionuese „instalimi” i ARN-së së virusit është e mundur të jetë një mekanizëm mbrojtës i trupit, shkruajnë shkencëtarët amerikanë. Sistemi imunitar mund të reagojë ndaj substancës gjenetike të huaj dhe bëjë gati „armët” e tij mbrojtëse, që janë pastaj të gatshme në një rast infektimi me virus./DW