TIRANE, 25 mars 2013– Zhvillohet sot testimi i gjyqtarëve të cilët do të jenë pjesë e Gjykatës Administrative.
Ministri i drejtësisë Eduard Halimi është shprehur në rrjetin social “Facebook” se është hera e parë që në 10 vitet e fundit organizohet nje testim për gjyqtarët në detyrë duke shtuar se ky proces është prova më e qartë e vullnetit të mazhorancës për t’i promovuar gjyqtarët në bazë të meritës dhe vlerave.
“Kam besimin e plotë se të gjithë ju që merrni pjesë në këtë testim do i tregoni vetes, familjes dhe gjithë publikut profesionalizmin dhe njohuritë e forta, siç kam bindjen që procesi i sotëm do i jap fund njëherë e mirë historisë së promovimeve bazuar në interesa dhe klientelizëm” shkruan Halimi.
Sipas tij testimi i gjyqtarëve të Gjykatës Administrative është një hap historik në procesin e reformimit të sistemit gjyqësor që do të ndikoj cilësisht në rritjen e pavarësisë, paanshmërisë dhe transparencës.
“Jam krenar që ju, mbi 100 gjyqtarë në detyrë në të gjithë Republikën e Shqipërisë, pranuat të testoheni duke vënë në provë me dinjitet, profesionalizimin tuaj. Jam i sigurt që dita e sotme do të kaloj me së miri për secilin prej jush. Faleminderit që na mbeshtetët në këtë stad të reformës në drejtësi!” përfundon deklarata e Halimit.





