Ministria e Transporteve ka gjetur një mënyrë origjinale për të testuar se sa është niveli i sigurisë në portet shqiptare.
Mbrëmë ajo ka nisur të improvizojë ngjarje për të parë reagimin e forcave të sigurisë portuale. Në orën 23:00 të mbrëmjes së të premtes, në portin e Vlorës është marrë njoftimi se ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të portit, në afërsi të administratës.
Gjithçka ka qenë e improvizuar më një urdhër të ministrit Edmond Haxhinasto, ndërsa në dijeni kanë qenë vetëm drejtori i Portit Edmond Leka si dhe Hysni Uruçi, drejtori i Autoritetit Shtetëror të Sigurisë Portuale.
Pas sinjalizimit për rënien e zjarrit, menjëherë forcat e zjarrfikëses së Vlorës dhe grupet e sigurisë në port janë vënë në gatishmëri, duke e kaluar testimin me sukses.
Pas këtij aksioni, ata janë vënë në dijeni se gjithçka ka qenë e improvizuar.





