Nga Dritan Hila

Kur tetë vjet përpara Sali Berisha vinte në pushtet për herë të dytë, pavarësisht makijazhit mediatik, vështirë se besohej ndryshimi. Kush i shërbeu atëherë, sot me siguri ndjen turp. E në mos pastë, do të thotë se ndërgjegjja është një dimension që nuk e njohin. I dhuruan Shqipërisë tetë vjet të tëra regres. Kush qante korrupsionin e socialistëve, në këta tetë vjet mësoi se korrupsion quhet ky i Berishës.

Tetë vjet më parë, talebanët e PD-së, për të treguar se zotërinj të rinj kishin zbritur në Tiranë, iu sulën xhamave të errësuar të makinave. Duhej të merrje vërtetim që të mund t’i mbaje xhamat me ngjyrë në makinën tënde. Hoqën rrogën e trembëdhjetë që shqiptarët merrnin si shpërblim, dhe kur panë se populli që kishin nën këmbë nuk ndihej, bënë moratoriumin e skafeve. Për tetë vjet, iu humbën shqiptarëve dimensionin e detit, mrekullinë e tij, bukurinë kur mbushet nga skafet që tunden si pulëbardha mbi dallgë. Ishte ligësia e njerëzve që nuk dinin not.

Iu sulën mbikalimeve e nënkalimeve rrugore, për t’i kthyer në rrethqarkullime, siç ishte urbanistika e fshatrave nga vinin e ku qarkullonin vetëm gomarët dhe ata. Më vonë rrugët filluan t’i ndërtonin, jo se ua dinin vlerën, por se në to panë një thes pa fund nga mund të vidhej paraja. Edhe sot e kësaj dite, refreni i tyre janë po rrugët, si dëshmi e fantazisë që nuk e kanë pasur kurrë. Ato rrugë për të cilat vetë nuk kanë bërë asnjë projekt dhe kanë akoma projektet e socialistëve të para 2005-ës. Kanë bërë vetëm një të re, Rrugën e Kombit, e cila do mbahet mend për rekordin kombëtar të vjedhjes. Ky po që është rekord i tyre dhe do duhet kohë për t’u kaluar.

Tetë vjetët e mbretërimit të Sali Berishës, do mbahen mend si shanin gratë opozitare në parlament. Kush ka parë tërbimin e tyre si ndërseheshin ndaj femrave, ka menduar se një bark nëne nuk i ka pjellë; se gra nuk kishin në shtëpi, e nëse kishin i shembnin në hu mëngjes e darkë; se vajza nuk kishin lindur, e në paçin të tilla, ose i kanë bërë si veten që nuk iu vjen era femër, ose janë për të ardhur keq.

A harrohen bubullimat e Berishës mbi vaskat e florinjta dhe kafshatën e bukës për të varfrit, ndërkohë që i biri projektonte “Gërdecin” dhe e bija iu vinte gjoba bizneseve? Është një dyfytyrësi që mendja njerëzore e ka vështirë ta rrokë. A mund të mos kujtohet patriotizmi i deklaratave të tij, e nën rrogoz iu jepte grekëve shkolla, varreza e det, aty ku as vetë grekët në ëndrra nuk e kishin parë? Kush kujton si i shante komunistët si të shitur tek serbi, e ndërkohë serbët i flinin në shtëpi dhe i bënin biznese. A mund të harrohet njeriu që për të ardhur në pushtet në 2005-ën u bë edhe ekologjist, e për të vërtetuar këtë ishte gati të zhvishej edhe lakuriq? Për ta mbushur vendin tetë vjet më vonë me plehrat dhe zhëmilet e Europës.

A ju vjen në mendje si në opozitë betohej si ishte bërë mik i medias? Ai që në kohën e sundimit të tij të parë i kishte ngordhur në dru e i kishte përcëlluar në flakë. Në 2004-ën, media hiqte ministra nga puna dhe i kallte datën qeverisë. Për të arritur pastaj në tetë vjetët e rikthimit të Berishës, kur për faj të tij dhe vetëm të tij, shtypi i shkruar ka arritur në tirazhet e kohës së Gutembergut, ndërsa mediat vizive, kush nuk është klient i tij, është në prag të falimentimit. A nuk ishte media që e përkrahu në 2005-ën që të vinte në pushtet? Dhe thonë pastaj që Berisha nuk është mirënjohës. Është mirënjohës deri në vdekje. Të kuptohemi, deri në vdekjen e bamirësit të tij.

Kur bëhej rotacioni në 2005-ën, kishte nga ata që besonin se zjarrvënësi i ’97-ës, të paktën nuk do përpiqej të shkatërronte arritjet. Ishin hedhur themelet e një administrate civile, presidenti konsensual, gjykatash të pavarura. Tetë vjet më vonë, po lë pas një sistem gjyqësor dhe prokurori në duart e besnikëve të tij, një president më të përulur se nëpunësi i një komune të humbur dhe administratë që gëlon nga militantët.

Do të kujtohet si njeriu që pushtetin e nisi me gjak kur katër vetë u vranë në Shkodër, dhe e mbylli po me gjak, kur katër të tjerë i vrau në mes të bulevardit kryesor të Tiranës. Do të mbahet mend si njeriu që erdhi si shpresë e opozitarizmit shqiptar, dhe kur pati pushtetin në dorë, të parën që u përpoq të mbyste, ishte pikërisht opozita. Duke qenë kështu ai fajtori kryesor edhe për shumë shtrembërime dhe deformime të kundërshtarëve të tij.

Në mitingun e 13 majit në sheshin “Nënë Tereza”, Sali Berisha filloi fushatën elektorale për një mandat të tretë. Por njeriu që fliste, nuk ka më asgjë të re se çfarë të japë. Për hir të së vërtetës, është një histori që duhej të ishte mbyllur që në ’97-ën. Sali Berisha është e shkuara jonë e errët. Një e shkuar që nuk duam më të përsëritet.

http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=132764