Kryerja e kontrolleve periodike dhe mamografisë ndihmon në evidentimin e sëmundjes së kancerit të gjirit, që në fazat e hershme.

I njohur ndryshe dhe si tetori rozë, ky muaj është i mbushur me fushata ndërgjegjësuese adresuar grave dhe vajzave.

Një takim i tillë u mbajt mbrëmjen e së martës në qendër të Durrësit, i organizuar nga bashkia dhe Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor.

Përmes historive personale, disa nga gratë që janë prekur nga kanceri i gjirit, treguan sesa e nevojshme është në këto raste mbështetja jo vetëm nga familja, por edhe rrethi shoqëror e më gjerë.

Përveç fushatave ndërgjegjësuese dhe apeleve institucionale adresuar grave e vajzave, roli i pushtetit vendor dhe mekanizmeve të tjerë shtetërorë merr një rëndësi primare për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

“Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për gratë e sëmura me kancerin e gjirit dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ne jemi përpjekur me bashkinë e Durrësit, me Shërbimin Social me të gjitha drejtoritë tona të varësisë, të bëjmë ndërgjegjësimin për aq sa mundemi dhe për aq sa na takon në qytetin tonë, që të shtrihemi në të gjithë territorin”,– tha ndër të tjera kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako.

Kalimi i stigmave përsa i përket kontrolleve të gjirit sidomos në zonat rurale është mjaft i rëndësishëm si masë parandaluese për prekjen dhe kurimin e kësaj sëmundjeje. 

“Mua më ka qëlluar të shkoj në Katund të ri. Më ka bërë përshtypje vitin e kaluar puna e mirë që kishte bërë atje stafi mjekësor atje. Nuk është aq e lehtë që të bindësh gratë në zonat rurale që të vijnë dhe bëjnë kontrollin për kancerin e gjirit”.

“Vetëm ku je para një gruaje që është në këtë betejë e kupton se ka ende pengesa që duhen përballuar, ka gjëra që duhet të ndahen me ne, ka dhe gjëra që kërkojnë mbështetje, suport, si dhe dashuri për tia falur këtyre njerëzve.”,- tha deputetja dhe mjekja e njohur Klodiana Spahiu.

Sipas të dhënave nga Spitali Rajonal Durrës, në vitin 2023 janë kryer gjithsej 2267 mamografi, nga të cilat vetëm 980 janë bërë në muajin tetor

Ndërsa përgjatë këtij viti, deri në fund të muajit shtator janë kryer 600 kontrolle, ndërsa 720 mamografi janë kryer përgjatë 20 ditëshit të parë të tetorit.  

M.B.