Bledi Shkëmbi dhe Teuta janë një binom perfekt, duken të bërë për njëri-tjetrin. Korçari i cili në karrierën e tij si futbollist ka fituar shumë trofe tashmë duket në rrugën e duhur edhe në rolin e trajnerit. Në të parën aventurë si drejtues në kampionatin shqiptar, Shkëmbi ka lënë shije të mirë, pasi rezultatet me Teutën po i regjistron dhe me lojë të bukur.

Nuk është rastësi që sot “djemtë e detit” shkojnë në pushimet dimërore me sulmin më të mirë të kampionatit, kur kujtojmë që pakkush e mendonte diçka të tillë në startin e sezonit. Vendi i 3-të në renditje, 4 pikë larg Partizanit kryesues dhe vetë, një pikë larg Kukësit të vendit të dytë janë shifra që flasin në favor të Teutës së Shkëmbit. Megjithatë nuk duket rastësi kjo ecuri pasi 39-vjeçari rezulton fatsjellës për Djemtë e Detit.

Në sezonin 2006-2007 kur Shkëmbi ishte lideri i Teutës në rolin e organizatorit skuadra garonte për titullin kampion me Tiranën dhe Vllazninë, por në fund do të mjaftohej me një vend të dytë pas bardhebluve. Sprinti final i sezonit ishte i paharrueshëm pasi në 11 javë radhazi ose më saktë në fazën e tretë dhe të fundit skuadra nuk do të njihte humbje, duke regjistruar 9 fitore dhe 2 barazime.

Edhe ekipi aktual ka 11 javë që nuk njeh humbje duke regjistruar 7 fitore dhe 4 barazime të cilat e kanë bërë një nga ekipet më të forta të kampionatit. Duket koençidencë e rastit por nuk është aspak kështu, pasi Shkëmbi ka ADN e një kampioni dhe nuk është asgjë rastësi por virtyt i punës së zhvilluar.

Skuadra ka mundësinë që me rifillimin e kampionatit të vendosë rekorde të reja të cilat gjithsesi nuk janë objektivat kryesorë, pasi në mendjen e Bledi Shkëmbit dhe të drejtuesve ajo që vlen është renditja përfunditmare dhe rikthimi në kompeticionet e UEFA-s, pse jo dhe nga dera më e rëndësishme për të shijuar himnin e Champions League.