Durrës, 28 gusht 2014 – Pesë lojtarët e ardhur së fundmi tek Teuta, ku Fall dhe Krasniqi janë blerje të ekipit ndërkohë që Koreshi, Hoxhallari dhe Peposhi janë huazuar për një vit nga Tirana, kanë vijuar normalisht stërvtjen me ekipin durrsak.
Të pesë lojtarët janë shprehur mjaft të kënaqur që janë bërë pjesë e Teutës duke thënë se është nder të jesh pjesë e një skuadre si ekipi durrsak.
Sipas tyre Teuta ka një grup shumë të mirë lojtarësh, ku të gjithë së bashku mund të ecim shumë përpara.
Lojtarët u shprehën se "për këtë duhet ta nisim që nga ndeshja me Vllazninë, ku duhet të fitojmë me patjetër, fitore e cila do të shërbejë edhe për moralin".
Krahas afrimeve të shumta të ditëve të fundit, në radhët e durrsakëve do të ketë edhe seleksionime.
Grupi aktualisht përbëhet nga të paktën 35 lojtarë dhe nuk ka mundësi që të qëndrojnë të gjithë.
Ende nuk bëhen publik emrat e lojtarëve, por të paktën katër u lanë të lirë të gjejnë një skuadër tjetër.
Gjithsesi, ka gjasa që këta të mos jenë të fundit që nuk bëjnë pjesë në planet e skuadrës, pasi numri ngelet relativisht i lartë, pa marrë parasysh edhe ndonjë afrim tjetër gjatë këtyre tre-katër ditëve që do të jetë e hapur merkato.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





