Pas portieri Tafas, Teuta ka zyrtarizuar ditën e sotme një tjetër afrim, bëhet fjalë për sulmuesin shkodran Kristian Preknicaj.  22-vjeçari sezonin e shkuar ishte pjesë e Lushnjës, në Kategorinë e Parë, teksa këtë edicion do të militojë në elitën e futbollit shqiptar. Preknicaj, iu nënshtrua një periudhe prove, teksa arriti të bindte trajnerin Martini, për ta bërë pjesë të ekipit.

Sulmuesi shënoi gol edhe në miqësoren e zhvilluar 2 ditë më parë ndaj Laçit. Preknicaj është formuar si lojtar në Itali, teksa ka qenë edhe pjesë e moshave të Vicencës.  Njoftimi zyrtar i Teutës:  KF Teuta njofton afrimin e sulmuesit Kristian Preknicaj. Sulmesi 22-vjeçar afrohet te Teuta nga Lushnja, ku sezonin e fundit ka spikatur me 6 gola, duke qenë ndër më të dalluarit në kampionat. Klubi i Teutës mirëpret sulmuesin Preknicajn dhe i uron shumë gola me fanellën blu.

Ekipi durrsak ka bërë një tjrtër goditje të rëndësishme në merkaton e verës, duke blinduar portën me afrimin e Angelos Tafas. Ish-kapiteni i Kukësit ka arritur marrëveshjen me klubi durrsak dhe tashmë mund të quhet lojtar i Teutës. Tafas ka qenë ndër më të mirët te Kukësi në tre sezonet e fundit, duke bërë paraqitje bindëse në portë. 24-vjeçari është prodhim i akademisë së AEK-ut në Greqi, ndërsa në Superiore ka luajtur vetëm për Kukësin. Tashmë Teuta është stacioni i dytë në kampionatin shqiptar për portierin me origjinë nga Elbasani.