Mjaftuan dy ditë stërvitje dhe një ndeshje miqësore që Teuta dhe trajneri i saj, Gugash Magani, të bindet për afrimin e qendërsulmuesit nga Nigeria, Onyeka Osemene. Ky i fundit është zyrtarisht futbollist i Teutës, teksa lajmin e konfirmojnë drejtuesit e klubit durrsak.Osemene është një qendërsulmues tipik, i cili në karrierën e deritanishme ka luajtur vetëm për skuadra portugeze. 22-vjeçari ka debutuar në vitin 2012 në Ligën e tretë portugeze me klubin Salgueiros. Me këtë të fundit ka bërë një paraqitje fantastike, teksa në 14 ndeshje ka arritur të shënoj 9 gola.

Më pas, nigeriani ka luajtur për një periudhë të shkurtër te Riberiao, për të kaluar më pas në Ligën e Dytë me skuadrën Sporting Braga. Karriera e Osemenes vazhdoi me Trofensen, ku shënoi 4 gola në 16 ndeshje të luajtura. Ndërsa në sezonin e fundit, qendërsulmuesi ka qenë pjesë e Sporting Kovilh në Ligën e Dytë, duke realizuar 3 gola në 9 takime.Osemene ka firmosur me “djemtë e detit” për dy sezone, teksa prezantimi i tij do të behët në Durrës, sapo skuadra të kthehet nga faza përgatitore. Osemene është produkt i akademisë së Leiksos.

Ndërkohë, burime të sigurta kanë bërë të ditur se jo vetëm Osemene, por edhe ganezi Latif Amadu, që ka dy javë në provë te Teuta, mund të firmosë me klubin në ditët në vazhdim. 23-vjeçari ka bërë një paraqitje të mirë në ndeshjet e luajtura në Itali dhe duket se e ka bindur Maganin. Nëse Latif firmos, atëherë, shkon në tre numri i sulmuesve që Teuta ka në përbërje. Është zbuluar edhe emri i një tjetër futbollisti që durrsakët po negociojnë për ta afruar. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin nga Gana, Erik Uarden, i cili ka një eksperiencë të gjatë në kampionatin grek. Sulmuesi mund të luajë në krahun e majtë dhe në qendër të repartit ofensiv.

Ai është produkt i akademisë së Selta Vigos, teksa në vitin 2011 është aktivizuar me skuadrën e dytë të klubit spanjoll. Uarden është bërë i njohur në ligën e dytë greke te Foqikos, Iraklis, Olimpiakos Volos dhe Kalithea. Në sezonin më të mirë, ganezi numëron 9 gola të shënuar. Në Superligën greke ai ka luajtur vetëm 4 ndeshje me fanellën e Levadhiakosit në sezonin 2013-2014. Mësohet se durrsakët po negociojnë me agjentin e lojtarit dhe pritet përgjigjja përfundimtare.