Teuta nuk u ndahet barazimeve. Durrsakët nuk kanë fituar dot as dje, kur kundërshtar kishin Dritën e Gjilanit. Miqësorja ka përfunduar me shifrat 1-1, ndërsa ndeshja u zhvillua në “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit, atje ku ekipi është grumbulluar prej disa ditësh.

Pas Flamurtarit dhe Erzenit edhe kosovarët kanë ndalur Teutën. Megjithatë, vlen të evidentohet se skuadra e drejtuar nga Gentjan Begeja ka bërë një paraqitje të kënaqshme, duke krijuar volum loje dhe raste. Goli i realizuar nga Ardit Hila ka nderuar durrsakët, pasi më herët për miqtë nga Gjilani ka gjetur rrjetën Almedin Murati. Durrsakët e kanë nisur takimin me disa ndryshime në formacion, të paktën krahasuar nga testi i fundit me shijakasit. Këtë herë tekniku Begeja hodhi në fushë emra të rinj si Gripshi, Beqaj apo Shehi. Pjesa e parë nisi vrullshëm. Gjilanasit që në të 7-ën minutë zhbllokuan shifrat. E megjithatë festa për kosovarët nuk zgjati shumë, pasi 5 minuta më vonë ka menduar Hila për të barazuar.

Teuta shfaqet agresive edhe në vazhdim, por pa rrezikuar portën e Dritës. Fraksioni i dytë nis me lëvizje të shumta, pasi që të dy trajnerët menduan që të aktivizojnë lojtarët që kishin në dispozicion në pankinë. Eksperienca e Hodos, Rizvanit apo edhe E.Hoxha i jep tjetër temp lojës, ndërsa edhe Raboshta me Marës i japin më shumë “frymëmarrje” sulmit.

Edhe pse një miqësore, u pa shumë dëshirë nga ana e durrsakëve për të fituar. Rastet u intensifikuan deri në mbyllje të krejt 90- minutëshit, sidomos prej Teutës, megjithatë sulmuesit ishin të pafat në finalizim. Pritet që gjatë qëndrimit në Pogradec, durrsakët të punojnë më së shumti me golin. Por nga ana tjetër edhe drejtuesit po bëjnë të pamundurën për të afruar kualitete në ofensivë.