Milan Kociç mund të jetë afrimi i radhës për durrsakët në këtë merkato vere. Burime pranë drejtuesve të klubit që po merren me formatimin e Teutës së sezonit të ri bëjnë me dije prej ditësh se kanë nisur bisedimet me 27-vjeçarin slloven. Kociç luan si mesfushor, por edhe si mbrojtës krahu. Kështu pas afrimit të qendërmbrojtësit boshnjako-kroat Ante Hrkaç, Milan Kociç pritet të jetë zyrtarizimi i dytë në radhët e “djemve të detit”. Palët po bisedojnë prej ditësh, por ende nuk ka një marrëveshje zyrtare. Gjithsesi, pritet që të ketë zhvillime rreth mesfushorit slloven, i cili parashikohet si përforcimi i radhës i Teutës së trajnerit Gugash Magani.
Milan Kociç e ka mbyllur sezonin e fundit tek ekipi Aluminij në Slloveni. Lojtari e ka nisur karrierën si profesionist me ekipin Triestina e më pas është aktivizuar në skuadra si Shumen 2010, TSV Haterberg, Rudar Velenje, si dhe Aluminiji. Kështu, nëse afrohet dhe Kociç, mbrojtja durrsake shikohet pranë kompletimit, pasi kujtojmë që mbrojtësit Shehi, Shkalla, si dhe Beqja janë pjesë e durrsakëve. Gjithashtu, mësohet se drejtuesit po punojnë edhe për afrimin e një mesfushori qendre, si dhe të një sulmuesi. Emrat e këtyre lojtarëve mendohet që do të mësohen sot, pasi drejtuesit po presin përgjigje nga ata.
Drejtuesit e klubit dhe stafi teknik duket se kanë ndezur motorët për të afruar lojtarët që duhen për sezonin e ardhshëm dhe për të mbushur boshllëqet që lanë futbollistët që u larguan nga Teuta në përfundim të sezonit të fundit.Më datë 1 korrik, ekipi grumbullohet dhe deri në atë ditë parashikohet që trajneri Magani ta ketë të kompletuar organikën e futbollistëve. Fundi i këtij muaji pritet të jetë “i nxehtë” te skuadra durrsake, pasi pritet që të zyrtarizohen lojtarët që do të përforcojnë Teutën e edicionit 2017-2018.