Teuta e nis merkaton e verës duke “peshkuar” në Shkodër.Klubi durrsak ka arritur marrëveshjen me mesfushorin 21-vjeçar, Uheid Hoxha, i cili u largua vetëm pak ditë më parë nga Vllaznia.Ai është një prej lojtarëve të talentuar që ka nxjerrë akademia shkodrane, por në ekipin e parë nuk ka gjetur hapësira dhe më së shumti është aktivizuar me U-21 të Vllaznisë, duke qenë në sezonin e fundit një prej më të mirëve. Mesfushori qendror do të jetë në Durrës më 4 korrik, atëherë kur dhe është planifikuar të nisë përgatitjet Teuta nën drejtimin e Renato Arapit.

Duke qenë se projekti i klubit bregdetar për sezonin 2022-2023 është bazuar te të rinjtë, Hoxha mund të thuhet se është goditja e parë, teksa synimi është që lojtarit t’i jepet mundësia e duhur për të shpërthyer në Superiore, pikërisht me fanellën e “djemve të detit”.Kanë qenë të shpeshta rastet kur lojtarët shkodranë kanë bërë mirë në Durrës dhe aktualisht janë dy prej tyre nën kontratë me klubin: Rubin Hebaj dhe Ildi Gruda.Ndërkohë, klubi ka tentuar edhe mbrojtësin e djathtë Abdurraman Fangaj, i cili gjithashtu është larguar nga Vllaznia në ditët e fundit. Megjithatë, ende nuk mund të flitet për një marrëveshje me lojtarin, i cili ka pasur bisedime këtë periudhë edhe me Flamurtarin.