Durrës, 10 shtator 2014 – Teuta duket se i ka dhënë fund situatës delikate sepse pas dy humbjeve rradhzai ka shkatërruar Elbasanin me rezultatin 5-1.
Durrësakët e kanë mposhtur plotësisht kundërshtarin me lojë dhe rezultat dhe Teuta ka dominuar ndeshjen që nga minuta e parë duke e merituar plotësisht fitoren.
Teuta merr fitoren e parë në kampionat, më të thellën deri tani në Superiore, me shifrat 5-1. Dy dopieta, me firmën e Pepës dhe Shabanit, por edhe “shenja” e Ditës, që ka kompletuar “manitën” durrsake, por nga ana tjetër ky rezultat fut në krizë Elbasanin.
Pas dy humbjesh radhazi, vjen “e treta e vërteta” për durrsakët e Hasan Likës. Ata kanë shfryrë dufin ndaj Elbasanit, ku lojtarë veteranë të tij, si Arjan Pisha, braktisin fushën e lojës në një moment në pjesën e parë, duke i imponuar trajnerit File zëvendësim të detyrueshëm.
Një moment ky që tregon se trajneri i Elbasanit nuk ka gjithçka në zotërim, ndërsa tri humbjet radhazi në rikthimin e verdhebluve në Superiore dëshmojnë se mund të kthehen andej nga kanë ardhur.
Kujtojmë se kjo ndeshje është luajtur në stadiumin e Peqinit, ngaqë “Elbasan Arena” nuk është bërë ende gati, po punohet në të për t’iu vënë në dispozicion kombëtares kuqezi në sfidën kualifikuese të teorit me Danimarkën.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





