Teuta ka hedhur një hap të madh drejt qëndrimit në Abissnet Superiore, pasi ka fituar 1-0 përballjen direkte përballë Laçit, sfidë e vlefshme për javën e 34-t të kampionatit. Një gol i Matias Llocit nga pika e bardhë e penalltisë, 5 minuta para përfundimit të kohës së rregullt ka vendosur fatin e kësaj sfide. Pas kësaj humbjeje, komplikohen shumë pozitat e Laçit, që tashmë rrezikon seriozisht rënien nga kategoria. Në “Niko Dovana” luhet një ndeshje që vendos shumë për fatin e sezonit për të dyja skuadrat, që qëndrojnë në zonën e ulët të klasifikimit. Teuta nis mirë takimin dhe rrezikon që në minutat e para me Peposhin, por gjuajtja e tij përfundon mbi traversë.
Minutat kalojnë, skuadrat nuk duan të rrezikojnë. Luhet kryesisht në mesfushë dhe mungojnë rastet në portat respektive. Në minutën e 31-të është Laçi, që rrezikon. Kordeiro tenton portën direkt nga një goditje standarde, por Tafas nuk surprizohet dhe pret gjuajtjen e tij. Kurbinasit flirtojnë me golin në fund të pjesës së parë. Pas një rrëmuje në zonë, topi përfundon te Mjaki, që gjuan, por nuk arrin që të mposhtë Tafas. Pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola 0-0.Teuta nis pjesën e dytë në sulm dhe rrezikon me Llocin, që godet nga jashtë zone, por portieri Molla nuk lejon që të preket porta e tij. Pak minuta më vonë janë sërish durrsakët që tentojnë golin e avantazhit me Beshirajn, por pa arritur që të dërgojnë topin në rrjetë.
Teuta është më kërkuese dhe dominon zotërimin e topit, por rastet për shënim janë të pakta në minutat në vazhdim. Episodi kyç i ndeshjes vjen në minutën e 80-të. Zhongo pengohet në zonë nga portieri Molla dhe gjyqtari Barjamaj akordon penallti. Kurbinasit protestojnë, por vendimi i gjyqtarit nuk ndryshon. Nga pika e bardhë godet Lloci, që kalon në avantazh skuadrën durrsake.Pavarësisht përpjekjeve të Laçit në minutat e mbetura, nuk ka ndryshim të rezultatit në minutat e mbetura. Teuta fiton 1-0 dhe hedh një hap të madh drejt mbijetesës, durrsakët ngjiten në vendin e 6-të në renditje në kuotën e 38 pikëve, ndërsa Laçi mbetet në vendin e fundit me 33 pikë dhe kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i kampionatit, kurbinasit janë me një këmbë në Kategorinë e Parë.