Teuta po zhgënjen me paraqitjet e bëra në ndeshjet kualifikuese si në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe në Konferencë Ligë. Skuadra kampione në fuqi, ka ndërruar fytyrë këtë edicion, teksa paraqitja e një viti më parë përballë Beitar Jeruzalemit është vetëm një kujtim shumë i largët.

Mes katër ekipeve shqiptare në ecurinë e tyre të deritanishme në kompeticionin më të ri të UEFA-s për klube, skuadra durrsake është ajo me paraqitjet më të dobëta.Ndeshja e fundit që Teuta ka shënuar një gol në ndeshje zyrtare, është ajo me goleadën ndaj Apolonisë.

Më 26 maj skuadra durrsake realizoi ndeshjen perfekte, që i dha edhe titullin e dytë kampion në elitën e futbollit shqiptar. Gjashtë golat duket se kanë lënë të shterojnë realizimet për në vazhdimësi.

Në tri ndeshje të zhvilluara, skuadra e Edi Martinit është e vetmja që nuk ka shënuar asnjë gol. Në dy takimet e turit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, ekipi kampion i Superiores u mund 4-0 nga Sherif Tiraspoli në ndeshjen e parë në Durrës dhe me rezultatin minimal 1-0 humbi në sfidën e kthimit.

Në ndeshjen e parë të turit të dytë të Konferencë Ligës ndaj Inter Club d’Eskaldes së Andorrës, bregdetarët gjithashtu nuk e gjetën rrugën e rrjetës, me gjithë volumin apo rastet e krijuara. Përballë ishte skuadra nga Andorra, por “djemtë e detit” u treguan të pafuqishëm për t’u shënuar. Jo vetëm kaq, por edhe mbrojtja “fut ujë” më shumë sesa duhet, teksa në tri ndeshje janë pësuar shtatë gola.

Vjet, Laçi bëri një ndeshje fantastike përballë Beitar Jeruzalemit, duke e eliminuar me një ndeshje dhe duke kaluar në turin e dytë të Europa Ligës. Dy golat e shënuar ndaj skuadrës izraelite janë të fundit për durrsakët në arenën europiane, pasi në sfidën e turit të dytë ndaj Granadës, Teuta u mund me rezultatin 4-0.

Në Andorrë Teuta do të kërkojë të riparojë gjithçka duhet, teksa me afrimin e Seferit dhe Kallakut si të huazuar apo sulmuesit tjetër Gjorgiev, gjërat nuk janë përmirësuar aspak.