Durrës, 1 mars 2014 – Teuta ka dalë me një barazim pa gola nga fusha krutane pas një ndeshjeje të bukur e me raste shënimi, por ku ka munguar vetëm goli. Teuta merr vetëm një pikë që e mban në vendet e kreut, por pa mundur ta ngjisë ekipin durrsak më lart në klasifikim. Ndeshja ka nisur e qetë me të dy ekipet që mundoheshin të qarkullonin topin. Në pjesën e parë të dy ekipet janë treguar të kujdesshëm nga frika se mos pësonin gol. Tek Teuta nuk luante si titullar Xhoel dhe sulmi kishte probleme pasi Samb dhe Xhafaj nuk kuptoheshin mirë me njëri – tjetrin. Kastrioti ishte më i qartë në lojën e tij. Pjesa e parë mbyllet 0-0. Me të njejtin rezultat mbyllet dhe e dyta, por me një lojë më spektakolare, ku 15 minutat e fundit të lojës ishin minuta me raste të pastra për të dyja ekipet. Durrsakët, sidomos në pjesën e dytë, kur e kanë ngritur shumë lojën e tyre, kanë qenë më pranë fitores, madje kanë goditur edhe traun e portës krutane me anë të Jakupit në minutën e 67-të, duke dëshmuar se kanë vërtet potencial dhe mund t’i përmbushin objektivat sezonalë. Xhafaj ka në dorë të ndryshojë fatin e këtij takimi në minutën e ‘83 por pason më fort se ç’duhej për shokun e tij dhe e dërgon topin jashtë vijës fundore. Nga ana tjetër, Popoviç tregohet i dobët përballë Rizvanit dhe godet keq. Mbyllet çdo gjë 0-0 dhe Kastrioti ngelet sërish i fundit në tabelën e renditjes. Teuta merr një barazim pa shumë vlera, por që duhet të jetë e kënaqur për nga mënyra si luajti. Ndeshja ishte e vlefshme për javën e 21-të të Superligës Shqiptare.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





