Patën mundësinë “e artë” për të fituar, por e shpërdoruan atë. Teuta e Edi Martinit, nuk shkoi më shumë se barazimi “i bardhë”, 0 me 0, ndaj “shijakave” të Erzenit, në përballjen e vlefshme për javën e 17-të të Kategorisë Superiore, duke mos arritur dot të dalin sërish, nga “zona e ftohtë”.
Erzeni dhe Teuta u ndeshën mes tyre në stadiumin e Rrogozhinës, takim i vlefshëm për javën e 17-të të Kategorisë Superiore dhe që u mbyll në shifrat 0-0. Një ndeshje e luftuar dhe me ritëm, por në fund nuk nxori fitues.
Teuta shpërdoroi një mundësi “të artë” për të shënuar në pjesën e parë, ku Erando Karabeci gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Të dy ekipet patën mundësi shënimi, por në fund lojtarët gabuan në finalizim. Në fund, Teuta e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pasi në minutën e 88 Ardit Iljazi koleksionoi kartonin e dytë të verdhë. Me këtë barazim Teuta mbetet sërish në vend të fundit, me 16 pikë, dy më pak se Erzeni që mban vendin e 7.