Tirana dhe Teuta ndanë pikët në “Selman Stërmasi” më ndeshjen hapëse të javës së dytë të Superiores. 0-0 përfundoi ky takim, që në fakt zgjati me gjithë pushimin mes pjesëve rreth 150 minuta për shkak të problemeve me sistemin e ndriçimit, që detyruan kryesorin Hamiti ta ndërpriste lojën për rreth 35 minuta. 2 herë e goditi traversën Tirana, me Ngo në pjesën e parë dhe Hasanin në fraksionin tjetër, por në asnjë rast topi nuk e kaloi vijën fatale.
Sfida nisi e ndezur dhe me intensitet të lartë, falë edhe entuziazmit të krijuar nga tifozët bardheblu, që kishin mbushur ndjeshëm shkallën e stadiumit. Shkëndijën e parë për t’u mbajtur mend e ndezi Vecaj me kokë në minutën e 12-të, por topi përfundoi jashtë. Kur po luhej minuta e 22-të një luhatje e energjisë shkaktoi probleme të mëdha me ndriçimin dhe vetëm pas 35 minutave ndërprerje, Hamiti, pasi u konsultua me të dy kapitenët, vendosi të vijonte ndeshjen, edhe pse cilësia e pamjes nuk ishte e duhura.
Sapo rinisi sfida Tirana iu afrua ndjeshëm golit, madje me dy gjuajtje të njëpasnjëshme. Fillimisht portieri Frashëri ndërhyri mbi vijën fatale, duke i mohuar golin Hoxhallarit, ndërsa në tentativën e Ngosë topi preku traversën. Ka dyshime nëse topi e ka kaluar vijë fatale në momentin e gjuajtjes së Hoxhallarit.
Nuk munguan rastet as në portën e Tiranës, ku më flagranti ishte ai i Rustem Hoxhës (69’), që vetëm një metër larg vijës fatale, e devijoi topin mbi tra. Në minutat e fundit të dyja skuadrat provuan me të gjitha mënyrat për të shkuar te goli, por qe e pamundur. Një barazim që lë të pakënaqur tifozët bardheblu pasi nga ajo që skuadra e Tiranës prodhoi në fushë, ndoshta meritonte më shumë.





