Hysen Dedja debutoi sot në pankinën e Vllaznisë, skuadër të cilën e drejton për herë të katërt, por kuqeblutë shpërdoruan një avantazh të dyfishtë dhe nuk arritën të marrin më shumë se një barazim 2-2 në sfidën e parë çerekfinale përballë Teutës.
Shkodranët e nisën mjaft mirë takimin në “Loro Boriçi” dhe gjetën golin e avantazhit shumë shpejt me anë të golit të shënuar nga sulmuesi i ri i talentuar Silvio Zogaj, ndërsa pak minuta më vonë braziliani Hygor shndërroi një penallti në gol, duke dyfishuar shifrat.
Durrsakët ishin inekzistentë në fushë në pjesën e parë dhe vetëm një herë arritën të kërcënojnë kuadratin e mbrojtur nga Efremov, që gjithsesi u tregua i gatshëm të bëjë një pritje mjaft të bukur dhe të dërgojë të tijtë në dhomat e zhveshjes me avantazhin e dy golave.
Teuta u fut në pjesën e dytë me një tjetër marsh dhe kërkoi me ngulm rihapjen e takimit, gjë që e bëri në minutën e 78’ me anë të Sherif Kallakut, ndërsa më pas shkodranët shpërdoruan 2-3 mundësi për të mbyllur ndeshjen, me Silvio Junior dhe Ndriçim Shtubinën.
Kur pritej vërshëllima finale e arbitrit, Teuta arriti të gjejë edhe golin e dytë me anë të Kapllanit, që shfrytëzoi një kthim të topit nga portieri Efremov dhe e shtyu sferën në rrjetë, duke rikuperuar në maksimum një sfidë të nisur mjaft keq nga durrsakët.
Tani gjithçka është ende e hapur për kualifikimin, por Tueta do të jetë ndjeshëm e avantazhuar, pasi do të luajë në shtëpi dhe me avantazhin e dy golave në fushën kundërshtare, që mund të vlejnë shumë për sfidën e kthimit.





