“Djemtë e detit”, kanë arritur ta mbajë të paprekur rekordin e vet edhe në një transfertë shumë të vështirë, si kjo në Korcë, duke mbetur e vetmja skuadër në Superiore pa u mundur.

19 tetor 2013 – Ballafaqimi mes dy kryesuesve të Superiores ka dhuruar emocione të shumta, luftë të fortë sportive, një karton të hershëm të kuq (Da Silva i Teutës, që në minutën e 10-të), dy gola të anuluar për pozicion jashtë lojë të kuqebardhëve…, dhe në fund të gjithckaje është nënshkruar barazimi 1-1. Si për t’i lënë të dyja skuadrat në të njëjtën “gjatësi vale”, në pozitat kryesuese, me pikë të barabarta, nga 16 të tilla. Një rezultat që ka lënë më të kënaqur “djemtë e detit”, për faktin se luanin në transfertë dhe kanë përballuar plot 80 minuta me një lojtar më pak. Bregdetarët e Maganit ia kanë dalë që t’i mbijetojnë në një situate të tillë të disfavorshme, madje kanë shënuar të parët. Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, autori i 6 golave në këtë kampionat, Daniel Xhafaj, ka shënuar në portën e Shehit. Pjesa e dytë ka qenë një dialog i gjatë i sulmeve të shumta e të furishme të kampionëve dhe mbrojtjes durrsake. I futuri në këtë fraksion loje, Morina, ka arritur t’i barazojë shifrat, por vetëm kaq, sepse epërsia rezultative e shumëkërkuar nga juglindorët nuk është bërë e mundur. 

Info

Golat: Morina 61′ / Xhafaj 45+2′
SKENDERBEU: Shehi, Ademir (Fagu 74′), Bici, Gvozdenovic, Arapi, Shkembi, Orelesi, Muzaka, Dimo (Tomic 77′), Ribaj (Morina 46′), Pejic. Trajner: Mirel Josa
TEUTA: Rizvani, Idrizaj, Osmani, Jakupi, Da Silva, Hodo, Dosti (Mustafaj 73′), Nika, Ahmataj, Mancaku, Xhafaj (A.Hoxha 88′). Trajner: Gugash Magani
Gjyqtarë: R.Sadiku, R.Avdo, R.Preca
Kartonë të verdhë: Pejic 90+3′ / Nika 53′, Ahmataj 90′
Karton i kuq: Da Silva 10′

/agjencia e lajmeve Dyrrah /