Teuta-Lyubimetz 0-0
FORMACIONI I TEUTËS
Rizvani, Osmani, Jakupi, Idrizi, Da Silva, Hodo, Dosti, Hyshmeri, Cyrbja, Mancaku, Xhafa: (U aktivizuan: Hoxha, Deljallisi, Amedini, Mustafaj, Kastrati, Rustemi dhe Pajaziti)
DURRES, 19 qershor 2013 – Teuta ka ngecur në miqësoren e radhës, edhe pse përballë kishte një skuadër jo të nivelit të saj. Ndonëse pas fitores 9-1 pak ditë më parë pritej një tjetër fitore, durrsakët kanë zhgënjyer.
Të besuarit e Maganit kanë pasur përballë ekipin e FK Lyubimetz, i cili mundi t’i përballonte “djemtë e detit” pa problem, duke e mbyllur takimin me rrjeta të paprekura 0-0. Pjesa e parë ka nisur mirë për durrsakët, ndërsa nuk kanë munguar rastet për shënim.
Tekniku Magani donte ta mbante të karikuar skuadrën, ndaj ka hedhur në fushë nga fillimi lojtarët e formacionit bazë, Mancakun, Xhafën etj. Këta të fundit u përpoqën të shtynin sa mundnin në majë të sulmit, ndërsa Osmani e Jakupi mendonin për mbrojtjen.
Kësisoj Magani më i interesuar ishte të ruante ekuilibrat e skuadrës, por nuk nguroi të provonte dhe t’u besonte lojtarëve që kishte në stol, si Mustafaj e Hoxha. Rastin më konkret e ka pasur pikërisht ish-sulmuesi i Peqinit.
Mustafaj ka kërcënuar seriozisht portën e kundërshtarit, por nuk ka arritur të shënojë. Ndërsa më pas nuk kanë munguar edhe rastet e tjera, por kundërshtarët ishin mjaftë të saktë në fazën mbrojtëse, duke shkatërruar çdo sulm të ndërtuar nga Teuta.
Në një moment të takimit, kosovari Leotrim Pajaziti, i vetëm me portën e boshatisur, nuk ka arritur të shënojë. Por edhe kundërshtari nga ana e tij kishte raste të pastra për shënim, mirëpo ka qenë Jakupi e Osmani dhe në dy raste portieri Rizvani ata që nuk kanë lejuar të dalin me humbje nga ky takim miqësor.
Miqësoren e radhës, durrsakët do ta luajnë ndaj ekipit të njohur bullgar, Lokomotivës së Sofjes.





