DURRËS, 8 shkurt 2014-Teutës i ikën fitorja nga duart në kohën shtesë të 90 minutëshit. Është Vllaznia që barazon pikërisht në këto sekonda e kështu Teuta del vetëm me një pikë nga Shkodra pas barazimit 1-1. Një shkodran bën diferencën në gjysmën e pare të ndeshjes. Ai është Ansi Nika, por që luan prej vitesh në radhët e “djemve të detit”. Mesfushori i Teutës finalizon një kundërsulm të shpejtë të të tijve, mënyra mjaft efikase e të luajturit të miqve, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 16-të. Spikat me pritjet e tij portieri Rizvani, i cili u thotë “jo” në tri-katër raste të favorshme kuqebluve. Sidomos neutralizimi i goditjes predhë të Hajdarit përmbushi një ditë të shkëlqyer sportive të “gardianit” durrsak. Pjesën e dytë e nis me dy zëvendësime të menjëhershme Sorrentino, duke hedhur në fushë goleadorin Daniel Xhafaj për Idrizin. Vlonjati i jep një tjetër frymëmarrje sulmit durrsak. Italiani kërkon kësisoji të dyfishojë shifrat me këtë lëvizje dhe të vulosë fatin e ndeshjes, ndërsa shkodranët mundohen të reagojnë, por kanë mangësi në fazën konkluduese. Ulet në stol pa lënë aspak gjurmë në 45 minutat e para kubanezi Joel, autori i katër golave ndaj Lushnjës, që ia lë vendin R.Hoxhës. Kundërpërgjigjet Canaj, që freskon disi formacionin, duke zëvendësuar Nikoliq me Krujën. Talenti shkodran i bashkohet repartit të përparmë vendës, në përpjekje të shumta e të dëshpëruara për të barazuar rezultatin. Loja e kuqebluve mbetet e paqartë, me gabime në pasime, edhe pse me plot dëshirë. Durrsakët luajnë shumë të organizuar, duke mos i dhënë asnjë shans kundërshtarit. Minutat kalojnë dhe rezultati 1-0 u duk se po mbetej i pandryshuar. Sapo ka nisur koha shtesë, Shtubina ka shënuar në portën e Rizvanit, duke shokuar miqtë, që kishin nisur festën e një tjetër trepikëshi. Gjithsesi, durrsakët kanë parakaluar të kuqtë dhe pozicionohen për momentin të dytët. /agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
Teuta barazon në Shkodër, humbet trepikëshin në sekondat e fundit
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Prokuroria e Tiranës shpall në kërkim kushëririn e Ergys Agasit, hoqi verën miliona euro nga kantina
U kap me armë zjarri në automjet, arrestohet 35-vjeçarja në Mirditë
Rama: Nuk do ta shqyrtojmë kërkesën e SPAK për Ballukun pa vendosur Kushtetuesja për pezullimin
Ketrin Gjocaj flet për divorcin dhe dhimbjen e ndarjes nga vajza





