TIRANE, 23 shkurt 2013 – Tirana dhe Teuta kanë ndarë nga një pikë në përballjen e sotme në kryeqytet. Pjesa e parë e takimit përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërkohë që në pjesën e dytë, në minutën e 62-të, mesfushori i Teutës, Hyshmeri shënon golin e parë të takimit duke ngjallur shpresat e durrsakëve për një fitore mjaft të vlefshme.
Por gëzimi i djemve të detit nuk ka zgjatur shumë, pasi vetëm 8 minuta më vonë Tirana ka barazuar me mesfushorin Abilaliaj. Në këtë mënyrë diferenca mes Skëndërbeut kryesues dhe Teutës së vendit të dytë ngushtohet në 6 pikë, por ekipi korçar ka një ndeshje më pak, që do ta zhvillojë nesër përballë skuadrës së Shkumbinit të Peqinit.
Para nisjes për në kryeqytet durrsakët u shprehën se do të luftonin për fitore, por nuk arritën të merrnin më shumë se një pikë në fushën e vështirë të kryeqytetasve.
Rezultatet e ndeshjeve të sotme
FK Kukësi – Apolonia 1-0
Kastrioti – KF Laçi 2-1
Luftëtari – Vllaznia 2-1
Flamurtari – Tomori 5-2
Tirana – Teuta 1-1





