Zero gola, pak emocione dhe asnjë fitues në kryeqytet mes Tiranës e Teutës, në ndeshjen më të rëndësishme të javës në Superiore. Një pikë që lejon bardheblutë të ruajnë vendin e tretë në renditje, por edhe Teuta merr një pikë të rëndësishme pas një sfide me një rival direkt, ku dëshira për të mos humbur mbizotëroi mbi atë për të fituar, me dy skuadrat që zhvilluan një ndeshje të zbehtë mes tyre.
Tirana vinte në këtë sfidë pas një jave polemikash, por dhe pa Elis Bakaj, Erjon Vucajn dhe Gentian Mucajn të dëmtuar e Gërxhalliun të skualifikuar. Rëndësia e përballjes dhe frika për të pësuar ndikoi drejtpërdrejt tek emocionet me dy ekipet që e nisën shumë të kujdesshme sfidën, aq sa deri në minutën e 17-të loja u luajt në mesfushë ku i vetmi moment i rrezikshëm ishte një top i hedhur në zonë nga Muzaka që nuk u shfrytëzua nga Fukui. 5 minuta më pas, Lika provoi me një harkim drejt zonës që u kontrollua mirë nga Mocka. Pa ide dhe me një sulmues të mirëfilltë përpara, Tirana kërkoi zgjidhje nga distanca, si ajo e Likës në të 28-n, por goditja e shkodranit ishte mbi traversë. Lika provoi dhe në të 40-n, por topi i tij u devijua në këndore. Aksioni më i rrezikshëm i pjesës së parë erdhi pikërisht në vazhdimin e aksionit, por fillimisht Mocka e më pas Dita nuk lejuan Tiranën të shfrytëzonte një rrëmujë në zonë.
Në pushim vajti me zero goditje në kuadrat, e pa gola. Pjesa e dytë nis me një rrëzim në zonë të Muzakës në të 48-n, por për kryesorin Sadiku nuk kishte faull. 3 minuta më pas, Hoxhallari dha mirë një top në shtyllën e dytë për Muzakën, por Kotobelli shpëtoi portën ndërsa pas ekzekutimit të goditjes nga këndi Smajli nuk ktheu dot për në rrjetë. Superioritetin e saj në lojë në fillimin e së dytës, bardheblutë u përpoqën ta konkretizonin në të 52-tën, por goditja e Muzakës u ndal mrekullisht nga Moçka. Teuta rastin e parë të vërtetë e krijon në të 62-tën, por mbrojtja e Tiranës largoi mirë një harkim të rrezikshëm në zonë. Në të 66-n, Dita provoi nga distanca por nuk ishte dita e tij. Pas 14 minutash të vakëta Tirana provoi më në fund në të 81-tën me Likën por goditja e tij ishte e pasaktë. Në të 87-n, provoi me kokë dhe Halili por mbi traversë.
Rastin e fundit në këtë ndeshje e pati Dita, që për pak sa nuk përfitoi nga një pakujdesi e bardhebluve në mbrojtje. U mbyll pa gola, logjikë e lojës që dy ekipet zhvilluan në “Selman Stërmasi” me Tiranën që ruan vendin e tretë, dhe durrsakët që mbajnë vendin e katërt.