TEUTA -TIRANA 1-1
Golat: Hoxha 43′ / Karabeci 36′
TEUTA: A.Osmani, T.Osmani,Hoxha, Idrizaj, Ahmataj (Cyrbja 79′), Nika (Shala 58′), Batha, Hodo, Dosti, Kalu (Joel 46′), D.Xhafaj. Trajner: I.Biturku
TIRANA: Sina, Muça, Pashaj, Kalari, Kërçiku (Korreshi 68′), Karabeci, Taku (Delic 79′), Kahata (Morina 46′), Gilberto, Ndikumana. Trajner: G.Magani
Gjyqtarë: L.Jemini, R.Avdo, E.Bicaku
Kartonë të verdhë: Hoxha 54′, Hodo 62′, Shala 84′
Durrës, 13 mars 2014 – Ka përfunduar në barazim 1-1 ndeshja Teuta – Tirana. Një ndeshje e bukur sidomos në pjesën e parë të lojës, ku u shënuan dy golat, nga Karabeci për Tiranën edhe Hoxha për Teutën. Një atmosferë shumë e bukur festive e shfaqur nga tifozët e pranishëm në stadium, por nga ana tjetër edhe spektakli nuk ka munguar në fushë. Në minutat e para të lojës skuadrat janë treguar të kujdesshme dhe kanë studiuar njëra tjetrën. Rasti i parë i rrezikshëm do të shënohej në portën bardheblu, në minutën e 16-të. Një pasim mbi harkun e zonës së portës kryeqytetase i Xhafajt për Hodon pengohet nga ndërhyrja e Kabarecit. Kryesori Jemini është fare pranë aksionit dhe akordon goditje dënimi, në një pozicion ballor, tepër të favorshëm. Godet Ahmataj, por topi ndalet në murin e përbërë prej shumë lojtarësh. Kundërpërgjigjet shpejt Tirana, që godet tri herë radhazi në zonën durrsake, por në fund zgjatet Tefik Osmani, duke e devijuar topin në këndore.
Pas kalimit të minutës së 20-të është rritur edhe më shumë ritmi i lojës, edhe pse dëmtimet e lojtarëve në dyluftimet e ashpra, kryesisht në mesfushë, nuk kanë munguar. Kjo i ka detyruar stafet mjekësore respektive të përveshin mëngët. Në minutën e 31-të, Karabeci lëshon një silur nga distanca, duke e detyruar portierin durrsak, Alfred Osmani, të bëjë një grushtim të vështirë duke evituar golin. Ky ishte paralajmërimi për durrsakët, sepse kapiteni i bardhebluve do të realizonte një eurogol në minutën e 36-të, të cilin ia dedikoi trajnerit Magani për ditëlindje. Një goditje e kalibruar prej rreth 25 metrash përfundoi me topin në trekëndëshin e Osmanit, që detyrohet ta nxjerrë “sferën” nga rrjeta e tij. Tirana kalon në avantazh, ndërkohë që shpërblehet kësisoji këmbëngulja dhe shpirti i lartë i garës së saj.
Teuta vuan në mesfushë, mezi del nga gjysmëfusha e vet, ndërsa repartet janë të shkëputura nga njëri-tjetri. Sidoqoftë barazimi do të vinte në fundin e pjesës së parë përmes një goditjeje dënimi. Nga e djathta e sulmit durrsak kroson topin Ahmataj, ndërsa mbrojtësi Hoxha ngrihet me kokë dhe e devijon topin në rrjetën e Ilion Likës. Nuk zgjat shumë kësisoji gëzimi i bardhebluve, ndërsa skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes.
Pjesa e dytë nis me nga një zëvendësim për secilën skuadër, ndërkohë që Teuta duket më kërkuese dhe madje krijon shpejt raste për gol, teksa Hodo heziton i vetëm përballë Likës të godasë në minutën e 50-të. Minutat në vijim e humbasin befasinë dhe bukurinë e lojës së të dyja skuadrave, që bëjnë pasime të gabuara dhe e humbasin topin shpejt. Portat respektive mbeten të paarritshme, edhe pse bardheblutë mundohen të godasin nga distanca.
Ndikumana ka rastin e artë për të shënuar golin e fitores në minutën e 80-të, por gabon shumë pranë portës së Osmanit. Morina dhe Joel, që përforcuan sulmet e të dyja skuadrave me fillimin e 45 minutave të dyta, fare pak ranë në sy, duke i lënë repartet ofensive në hije. Loja është zhvilluar më së shumti në mesfushë, ku skuadra e drejtuar nga Magani ka kontrolluar topin, ndërsa djemtë e Biturkut janë treguar të matur për të mos lënë hapësira. Pikë të vlefshme sidomos për ekipin e Tiranës, ndërsa Teuta tani duhet të fitojë ndeshjet e tjera në qoftë se dëshiron të marrë pjesë në Kupat e Europës. Teuta ka 32 pikë, në vendin e 6-të, duke humbur mjaft terren në raport me zonën europiane.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





