Teuta vijon të bëjë ligjin në basketbollin shqiptar në vitet e fundit, duke koleksionuar suksese të njëpasnjëshme. Durrsakët kanë fituar dje Kupën e Shqipërisë, teksa kanë mundur Kamzën me rezultatin 82-74 në finalen e zhvilluar në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Fllakë.
Pasi kishin kaluar në gjysmëfinale Tiranën pas një koshi në frymën e fundit, bregdetarët e trajnerit Melzin Lazimi bënë një paraqitje më të mirë në finale, duke e pasur takimin nën kontroll në pjesën më të madhe të kohës.
Ky ishte trofeu i pestë i Kupës në historinë për Teutën, që e nis vitin në mënyrën më të mirë duke festuar para publikut të zjarrtë durrsak që dje kishte mbushur sallën. Ndërsa pas Superkupës së fituar në dhjetor, një tjetër trofe i sezonit 2022-2023 shkon në Durrës.
Të dy trajnerët e startuan lojën me nga 3 amerikanë në formacion, dhe me nga dy lojtarë shqiptarë që plotësonin pesëshen. Peterson me dy finalizime të sakta dhe kapiteni Kristi Gorea e kaluan Teutën në epërsi 6-0 në çastet e para, ndërsa koshi i parë për Kamzën erdhi pas më shumë se dy minutash lojë me protagonist Bowers që ngushtoi në 6-2. Bregdetaret janë gjithnjë në avantazh gjatë periodës së parë, duke e fituar këtë fraksion 23-16.
Në çerekun e dytë, Kamza shfaq rritje në lojën e saj, ndërsa dy herë prek edhe barazimin, fillimisht 32-32 dhe më pas 34-34, por në çastet e fundit Teuta krijon një epërsi të lehtë për të shkuar në pushim me avantazhin 40-36.
Perioda e tretë nis më mirë për durrsakët që shkojnë në +9 pikë, por kamzalinjtë e Eni Llazanit reagojnë, duke realizuar edhe përmbysjen në 47-50.Por ndonëse në momente të vështira, kampionët e Teutës tregojnë forcën dhe rimarrin gjithçka nën kontroll, duke shkuar në avantazh 59-55 pas 30 minutash lojë.
Kamza provon të kundërpërgjigjet në fillimin e periodës së katërt, por më pas Teuta rivendos distancat dhe e kontrollon takimin qetësisht deri në fund.Kështu, gjithçka mbyllet me festën e durrsakëve në parket, ndërsa presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, i dorëzon trofeun e Kupës kapitenit të Teutës, Kristi Gorea.
Një sukses i merituar për bregdetarët, që kurorëzojnë me një tjetër trofe punën e mirë që prej vitesh bëhet në klub. Sullivan me 19 pikë dhe 19 ribaunde si dhe Peterson me 29 pikë ishin lojtarët më decizivë në triumfin e Teutës në finalen e djeshme.Ndërsa në radhët e Kamzës spikatën Thomas me 19 pikë dhe kapiteni Niko Thano me 18.