Bledi Shkëmbi ka mposhtur Orges Shehin, në përballjen e dytë mes të dyve si trajnerë, ndërsa këtë herë Teuta ka marrë pikët maksimale përballë Skënderbeut, në sfidën e luajtur në qytetin e Korçës, duke konfirmuar kështu edhe momentin e mirë që po kalon.
Durrsakët e nisën mjaft mirë takimin dhe iu afruan disa herë rrezikshëm portës së mbrojtur nga Teqja, ndërsa në minutën e 30’ arritën të gjejnë edhe golin, me anë të sulmuesit të krahut, Sekou Kamara, që shënoi me kokë, pas një rrëmuje në zonë. Goli i Teutës zgjoi të besuarit e Shehit, që u hodhën në sulm, në kërkim të barazimit, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë fituan një 11-metërsh me anë të mesfushorit Gjergji Muzaka, i cili pësoi një ndërhyrje nga prapa, nga mesfushori Beqja.
Ky i fundit u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë durrsakët me 10 futbollistë, ndërsa penalltinë çuditërisht e mori përsipër mbrojtësi i Kosovës Fidan Aliti, i cili gjuajti lehtë dhe në qendër, duke ia dorëzuar topin portierit Isli Hidi.Pjesa e dytë u luajt vetëm në gjysmëfushën e Teutës, me Skënderbeun që krijoi një mori rastesh për të barazuar, por herë për shkak të pasaktësisë së sulmuesve korçarë, herë për meritë të Hidit e herë për mungesë të fatit, topi nuk përfundoi në rrjetë.
Vërshëllima e trefishtë e arbitrit kryesor, Enea Jorgji, la në fuqi rezultatin 0-1, që rikthen Teutën në vendin e tretë, me 28 pikë tashmë, ndërsa lë Skënderbeun në vendin e dytë, por tashmë sërish me 4 pikë më pak se Partizani kryesues.





