Teuta mbylli një sezon të suksesshëm me fitimin e Kupës dhe kualifikimin në Kupat e Europës. Festa mbaroi dhe në kampin durrsak ditën e sotme kanë zyrtarizuar afrimin e parë në merkato. Skuadrës së Edi Martinit i është bashkuar, ish-sulmuesi i Luftëtarit në sezonin e fundit, Aldrit Oshafi.
20-vjeçari është prezantuar sot në zyrat e klubit, teksa nuk bëhet e ditur kontrata që ka firmosur. Oshafi është formuar te skuadra e tij e qytetit të lindjes, Tomori dhe më pas ka provuar të luajë me Besën e Kavajës dhe dy sezonet e fundit me Luftëtarin në Kategorinë Superiore.
Shtatlarti këtë sezon luajti në 23 ndeshje dhe mundi të shënojë një gol dhe të dhurojë një asist, duke vuajtur edhe mungesën e produktivitetit të skuadrës gjirokastite, që dhuroi një nga sezonet më negativë të bëra së fundmi në Superiore dhe sezonin e ardhshëm do luajë në Kategorinë e Parë.
DEKLARATA E KLUBIT TË TEUTËS:
Klubi i futbollit Teuta njofton marrëveshjen me Aldrit Oshafin. Teuta ka zyrtarizuar afrimin e parë për këtë merkato. Klubi durrsak ka firmosur me Aldrit Oshafi. Djemtë e detit kanë siguruar një tjetër sulmues për sezonin e ri.





