Teuta është “e dënuar” të fitojë edhe ndaj Bylisit të dielën e ardhshme për të konsoliduar pozitat e saj. Pas fitores me Egnatian kërkohet vazhdimësi dhe mesfushori Ledio Beqja, shprehet se Teuta nuk do të gabojë as në sfidën e fundit të këtij viti.
“Pas fitores me Egnatian normalisht morali është më i lartë në skuadrën tonë. Na mungonte shumë fitorja. Ekipi është gati për një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme, që duhet ta fitojmë për të qenë brenda objektivave. Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar, por patjetër rezultatet e mira sjellin një gjendje më të mirë psikologjike. Na mbetet të vijomë me këtë lojë të mirë dhe të fitojmë edhe me Bylisin.
Do të jetë sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet. Shpresoj shumë t’ia dalim të marrim 3 pikët.
Bylisi është një skuadër që ka bërë mirë, pasi ka në përbërje elementë të rëndësishëm, por ne kemi objektivat tona, ndaj mendojmë vetëm për fitore. Është ende shumë herët për të thënë se ku mund të shkojë kjo Teutë, është edhe gjysma e dytë e kampionatit. Tani nis faza e ndeshjeve më të vështira, por mendoj se do t’i arrijmë ato objektiva që kemi. Së pari të kalojmë me sukses Bylisin”, ka thënë mesfushori i Teutës, Beqja.