Teuta bën një goditje sur prizë në merkaton e verës, duke shfrytëzuar formulën e huazimit nga Tirana. Taulant Seferi u bashkohet kampionëve të Shqipërisë për aventurën Champions, teksa vetë klubi durrsak konfirmoi këtë transferim, madje duke falënderuar bardheblutë. Sulmuesi shton cilësinë te Teuta në prag të ndeshjeve ndaj Sherif Tiraspolit, ku më 7 korrik luhet e para në stadiumin “Niko Dovana”.

Pas mbrojtësve të krahut Hristijan Dragarski dhe Blerim Kotobelli, si dhe qendërsulmuesit nga Maqedonia, Pepi Gjorgiev, tashmë trajneri Edi Martini do të ketë në dispozicion edhe Seferin.

“Emri i katërt që i është bashkuar projektit europian të kampionëve të Shqipërisë është futbollisti i Kombëtares, Taulant Seferi. Ai iu bashkua ekipit në formë huazimi. Seferi do të jetë një ndihmë e madhe në Champions League. Drejtuesit e Teutës falënderojnë presidentin e KF Tirana për bashkëpunimin dhe lejimin e futbollistit për të luajtur me Teutën. Seferi zhvilloi seancën e parë stërvitore në Ohër gjatë pasdites së djeshme”, konfirmonte faqja zyrtare e Teutës të hënën.

Blerim Krasniqi, Pepi Gjorgiev dhe Taulant Seferi. Tri alternativa luksi për Martinin në prag të ndeshjes me Sherifin, teksa vetëm njëri prej tyre pritet të luajë titullar. Gjatë tri miqësoreve të zhvilluara deri më tani në Ohër, Martini i ka bërë llogaritë me Krasniqin në majën e sulmit.

Mirëpo, afrimet e fundit duket se mund t’i ndryshojnë planet trajnerit për formacionin ndaj Sherifit. Jo më kot u huazua Seferi dhe nuk është çudi që lojtari nga Kumanova ta nisë nga minuta e parë më 7 korrik.

Shpejtësia e tij i jep siguri Martinit, për më tepër që nga krahët veprojnë Bregu dhe Lorenci Vila, duke shtuar cilësinë në repartin ofensiv, që blindohet tashmë për aventurën Champions. I vetmi merak tashmë për stafin durrsak është gjendja fizike e Seferit, pasi prej dy javësh ai po pushon dhe më tepër ka ndjekur një program individual që ka marrë nga trajneri i Tiranës.