Teuta godet në limit të merkatos duke u përforcuar me sulmuesin Gerhard Progni, i cili rikthehet te bregdetarët pas një aventure me Partizanin. 31-vjeçari, i cili ka qenë pjesë e Teutës në gjysmën e dytë të sezonit 2016-2017, ka vendosur të kthehet sërish në “Niko Dovana”. Progni, e pranoi se ka gjetur marrëveshjen me Teutën dhe të premten do të prezantohet nga klubi durrsak.

Drejtuesit e Teutës kishin premtuar një emër të madh për sulmin në rast se do të ofrohej një lojtar cilësor dhe ashtu siç premtuan e bën realitet. Me afrimin e tij trajneri Bledi Shkëmbi do të ketë më tepër alternativa për repartin e sulmit.

Largimi i tij duket i çuditshëm nga Partizani, pasi sulmuesi ishte në planet e trajnerit Skënder Gega dhe në dy ndeshjet e para është aktivizuar me “Demat e Kuq”.

31-vjeçari është nën kontratë me Partizanin, por palët kanë gjetur marrëveshjen dhe ai ka vendosur të kthehet në Durrës, aty ku kaloi pjesën e dytë të sezonit 2016-2017. Afrimi i tij është një vlerë e shtuar për trajnerin Shkëmbi, që po ndërton në Durrës një skuadër kompetitive për të marrë pjesë jo vetëm në kompeticionet evropiane, por për të parë edhe nga titulli kampion.

Gjithsesi është herët të flitet për titullin, por Teuta është një nga skuadrat që ka bërë merkato shumë cilësore duke afruar në skuadër futbollist me eksperiencë, që çdo kush i ka ‘zili’. Me afrimin e Prognit, merkato e Teutës mund të konsiderohet e mbyllur, teksa ai është ‘qershia mbi tortë’ përpara ndeshjes me Kamzën në fundjavë ku kërkohet vetëm fitorja.