Teuta-Bylisi u ndoq nga më shumë se 1 mijë shikues. Përpara fillimit të takimit, klubi i Teutës zhvilloi një ceremoni në nderim të ish-mesfushorit të ekipit durrsak Bledar Hodo. Ky i fundit shkelmoi topin e parë të sfidës dhe rezultoi me fat për ekipin. Prej dy vitesh ai është pjesë e stafit teknik të akademisë Teuta.

Drejtuesit e Teutës, Edmond Hasanbelliu dhe Adrian Bardhi, e ndoqën sfidën në tribunën VIP në shoqërinë e homologut të tyre, Besnik Kapllanaj. Pas ndeshjes lojtarët dhe stafi uruan Bardhin për ditëlindjen (50 vjeç), duke ia dedikuar pikërisht atij këtë fitore.

Të pranishëm në stadium ishin shumë ish-lojtarë të Teutës si Xhevahir Kapllani, Haxhi Ballgjini, Dritan Babamusta dhe Alfred Osmani. Ndërkohë, edhe Arber Çyrbja dhe Fabian Beqja të dëmtuar, e ndoqën ndeshjen nga tribuna.

Në një moment gjatë ndeshjes, portieri Stivi Frashëri kërkon të motivojë ekipin, duke bërë thirrje: “Para çuna! Dalim, luajmë lart”. Kjo bën që trajneri Shkëmbi të nxehet nga stoli me Frashërin, duke i thënë që të ulë tonet.

Në pjesën e parë arbitri Juxhin Xhaja këshillon trajnerin e Bylisit pas ankesave të shpeshta të tij. Më pas Dovedan u qetësua. E njëjta gjë edhe me mbrojtësin e majtë, Ndreca, që ka ankesa për gjyqtarin, por pasi Xhaja e këshillon, lojtari zbutet.

Pas një topi të humbur në mesfushë, trajneri i Bylisit acarohet me të tijtë dhe godet një shishe uji që ishte afër pankinës.