Një nga lëvizjet më të bujshme të kampionatit shqiptar mund të ishte largimi i sulmuesit Amadu Latif drejt Bjellorusisë. Teuta ishte gati ta shiste lojtarin shtatlartë për 150 mijë euro, një shifër fantastike për klubin durrsak, por dhe për cilësitë e Latifit. 

Ky i fundit zhvilloi një gjysmë sezoni mjaft pozitiv, pasi e dërgoi 9 herë topin në rrjetë. 25-vjeçari qëndroi me idenë se do të largohej nga Durrësi dhe nuk u stërvit me skuadrën duke menduar se gjithçka do të mbyllej dhe kalimi i tij në Bjellorusi ishte i sigurt. 

Bregdetarët nisën festën e parakohshme, ndërsa në fund, Latif u kthye pa u shitur duke prishur dhe planet e ekipit në merkato. Rikthimi me ekipin rezultoi mjaft i vështirë, pasi ganezi nuk ka shënuar asjë gol dhe nuk po merr minuta. Në takimin e Kupës së Shqipërisë ndaj Kukësit, ai nuk u grumbullua fare nga trajneri Bledi Shkëmbi.

Arsyeja? Ka probleme emocionale në Shqipëri. Nga një sulmues që mund të arkëtonte 150 mijë euro për arkat e klubit, Amadu tani është kthyer në një barrë.