Teuta dhe Partizani do të vuajnë mungesën e disa prej lojtarëve titullarë në sfidën e fundit për këtë vit, në ditën e diel. Të dyja skuadrat u përballën ditën e djeshme në Durrës, teksa ishin vendasit ata që triumfuan me anë të një goli nga pika e bardhë të Kallakut.

Ndërkohë, në fushë nuk mungoi edhe tensioni, i cili nisi mes Uilliam Kordeiro dhe Fabian Beqjajt. Të dy futbollistët u kapën me duar, madje nuk munguan as goditjet. Për të “shuar” situatën, ndërhynë edhe lojtarë nga stoli por duket se gjithçka u përkeqësua. Kështu, pasi përfundoi rrëmuja gjyqtari Ferataj përjashtoi katër futbollistë me kartonë të kuq.

Si fillim, përfunduan jashtë Kordeiro dhe Beqja si protagonistët kryesorë e më pas ndoqën të njëjtën rrugë edhe Amer Duka i Teutës e Boldor i Partizanit. Këta të ndëshkuar nga stoli, pasi nuk ishin aktivizuar.

Ndërsa, në minutën e 91’, durrsakët u ndëshkuan sërish me të kuq, pasi mbrojtësi Shkalla koleksionoi kartonin e dytë të verdhë. Në këtë formë, trajneri Martini do të vuajë mungesën e tre futbollistëve për ndeshjen e radhës në transfertë ndaj Flamurtarit. Ndërkohë, edhe Partizani nuk do të ketë të gatshëm ndaj Vllaznisë në kryeqytet Kordeiron dhe Boldor, të cilët nisin pushimet para kohe.