DURRES, 26 prill 2013 – Teuta do të udhëtojë nesër drejt Ballshit për të luajtur ndeshjen më të rëndësishme të sezonit kundër Bylisit. Durrsakët janë shprehur se do të kërkojnë fitore, pasi çdo rezultat tjetër do t’i nxirrte jashtë objektivit që skuadra ka në kampionat.

Teknikut Gugash Magani do t’i mungojnë katër lojtarë mjaft të rëndësishëm si: Tahiri, Da Silva, Muriqi dhe mesfushori Renato Hyshmeri, të cilët nuk mund të luajnë për shkak të kartonave.

Megjithatë numri një i pankinës durrsake ka deklaruar se ka marrë masa për zëvendësimin e tyre me lojtarë të të njëjtit nivel.

“Na pret një ndeshje mjaft e vështirë dhe shumë e rëndësishme, sepse bëhet fjalë për objektivin që skuadra ka për këtë sezon futbollistik. Kundërshtarët gjenden fare pranë dhe nuk na lejohet asnjë gabim në Ballsh. Bylisi është një skuadër që duhet vlerësuar, por nga ana tjetër nuk e kemi frikë kundërshtarin. Në këtë transfertë ne do të shkojmë me qëllimin e vetëm për ta fituar këtë sfidë dhe kemi besim se do t’ia dalim mbanë”,- pohoi Magani.

Në të njëjtën linjë me trajnerin janë edhe mbrojtësi Osmani dhe sulmuesi Daniel Xhafaj, të cilët janë shprehur se ky 90 minutësh vlen sa një sezon i tërë.

“Nuk na lejohet asnjë hap fals kundër Bylisit, prandaj të mobilizohemi dhe të japim maksimumin në këtë përballje. Sigurisht që nuk do ta kemi të lehtë, por ne synojmë vetëm tre pikët në këtë duel. Jemi gati dhe do të mundohemi të japim më të mirën tonë që të kthehemi me fitore në Durrës”,- theksoi Osmani.

Ndërkohë sulmuesi Xhafaj tha: “Nesër luhet për jetë a vdekje, prandaj duhet përqëndrim maksimal. Kjo ndeshje vlen sa një sezon i tërë, prandaj ta luajmë sikur të jetë një finale e vërtetë, sepse për ne kështu është. Një hap i gabuar do të na nxirrte nga objektivat që skuadra ka, ndaj jemi të dënuar të fitojmë. Bylisi ka një skuadër simpatike me mjaft lojtarë cilësorë në gjirin e tij, megjithatë ne nuk kemi alternativë tjetër përveç fitores”.

/m.l. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/